Out with the Corrupt!

2026-02-24 15:03:14 / IDE NGA ARBëR HITAJ

Out with the Corrupt!

​Janë me dhjetëra zyrtarë të kësaj mazhorance e disa nga ish qeverisja para 2013, në nivel ekzekutiv, lokal, apo edhe drejtorë të përgjithshëm, që përballen me drejtësinë pothuajse përditë. Akuza kryesore: korrupsioni. Përtej shkeljeve ligjore, ajo që bie në sy është edhe arroganca e shfrenuar. Ndonëse arroganca nuk përbën shkelje penale, ajo është një shkelje morale që prek dinjitetin e qytetarëve. Në ditët në vijim, do të paraqes fakte konkrete për sjelljen "feudale" të disa drejtorëve që i konsiderojnë postet si pronë private.

​Për ta kuptuar peshën dhe efektin e korrupsionit, duhet t'i referohemi përkufizimit të Transparency International, i cili e ndan korrupsionin në disa kategori:
• ​Ryshfeti (Bribery): Dhënia ose marrja e parave për të përfituar një shërbim të padrejtë.
• ​Nepotizmi: Punësimi i familjarëve dhe miqve, duke shkelur meritokracinë.
• ​Përvetësimi (Embezzlement): Vjedhja e parave publike nga ata që janë besuar t'i menaxhojnë.
• ​Zhvatja (Extortion): Përdorimi i kërcënimit ose forcës për të marrë favore.

​Në Shqipëri, këto nuk janë thjesht teori, por fenomene të faktuara zyrtarisht nga hetimet e SPAK dhe vendimet e GJKKO. Ky krim dëmton ekonominë, vret konkurrencën dhe shkatërron themelet e shtetit. Ka vetëm pasoja negative me pak fjalë!

​Unë nuk pajtohem me ato analiza që e konsiderojnë shtetin të gjithin të "kapur" nga krimi e korrupsioni. Në administratë ka shumë njerëz të aftë që punojnë me ndershmëri, duke refuzuar të firmosin shkelje ligjore. Problemi real qëndron në majën e piramidës, me drejtuesit që abuzojnë me detyrën dhe te ajo pjesë servile e administratës që gjen gjithmonë "rrugëdalje" në dëm të procedurave dhe demokracisë!

​Koha e ka vënë këtë mazhorancë e sapo dalë nga zgjedhjet përpara një sfide të re, largimin e të korruptuarve pa ekuivok dhe pa medyshje, edhe nëse kjo ka kosto elektorale. Duke ruajtur parimin e prezumimit të pafajësisë, veprimi nuk duhet të presë vendimin e formës së prerë pas dhjetë vitesh. Interesi publik kërkon që bashkitë, drejtoritë dhe ministritë të jenë të pastra në momentin që çështja shkon për gjykim.


Një institucion nuk mund të drejtohet nga dikush që është nën akuzë zyrtare për korrupsion dhe në proces! Ky duhet të jetë interesi i kujdo që drejton vendin, Shqipëria ka nevojë për modele që reflektojnë ndershmëri e modernizëm dhe jo të kundërtën!

​Koha është tani si për ndryshime ligjore por edhe për pastrim me themel, kjo vlen si për qeverinë aktuale, ashtu edhe për opozitën si ish-qeverisje. E di që morali dhe politike nuk kërcëjnë tango asnjëherë, e megjithëatë ky është momenti!

Për hir të qytetarëve: Out with the corrupt!

Happening now...

ideas