Zgjidhja nuk është bashkimi i opozitës, por çlirimi i saj nga Sali Berisha

25 Shtator 2023, 12:57 / EDITORIAL NGA ERL KODRA

Zgjidhja nuk është bashkimi i opozitës, por çlirimi i saj
Kur Sali Berisha u sanksionua më 19 Maj 2021 nga Departamenti i Shtetit si person non-grata, automatikisht Partia Demokratike ka humbur minimalisht rreth 20 % të elektoratit.

Po flas me përqindje, pavarësisht se humbja mund të ketë qenë më e madhe, por më e pakta, 20 % e votuesëve të PD nuk do të pranonin më tej të votojnë një parti ku ish-kryetari i saj është sanksionuar nga aleati strategjik dhe mbrojtësi më i madh i lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kësisoj, e vetmja zgjidhje ishte ajo që ndodhi në fakt - largimi i barrës së rëndë Sali Berisha nga grupi i saj parlamentar. Tek e fundit, asnjë borxh nuk i kishte Partia Demokratike Sali Berishës, përkundrazi, ai ishte dhe është në borxh të thellë me demokratët dhe votuesit e djathtë.

E djathta shqiptare nuk mund të vihet në rrjesht njësoj siç vihet e majta, ata nuk mund të imitojnë të majtën përmes asnjë kulti; përfshirë edhe kultin e Sali Berishës. Të djathtët përfshijnë një spektër të gjerë individualitetesh, ngjyrimesh dhe rrymash, duke filluar me të përndjekurit politik; antikomunistë, zogistë dhe ballistë, deri tek të djathtët centristë dhe e djathta liberale.

Ky spektër kaq i gjerë individualitetesh nuk mund të futet në rrjesht pas një njeriu, për më tepër pasi ai është shpallur person non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bojkotuar totalisht nga i gjithë përëndimi.

Ajo çfarë ndodhi më pas është faqja jonë e zezë, më e zeza në 32 vitet e fundit. Ata që nuk e shohin, ose më keq nuk duan ta shohin kështu, janë fajtorët e vërtetë. Sali Berisha e ha bukën e vet, në shpi të vet, për hesap të vet. Dhe ne nuk kemi asnjë arsye të jetojmë jetën për të votuar Sali Berishën. Ne nuk jemi robërit e tij, as dishepujt e tij, as mburoja e tij. Demokratët dhe votuesit e Partisë Demokratike janë shumë më tepër se Sali Berisha, Lulzim Basha dhe gjithë lidershipi i saj i këtyre 32 viteve të marrë së bashku.

Partia Demokratike duhet të jetë një ide përbashkuese individualitetesh të spektrit të djathë, një alternativë qeverisëse, një kompromis. Por kompromisi vdes nëse shkohet pas një individi, kushdo qoftë ai. Është e provuar më herët nga shumë vende dhe popuj; se nuk ka gënjeshtër më të madhe se sa parulla "kur themi Lenini, nënkuptojmë partia".

Një valë e paturshme fyerjesh dhe bullizmi shpërtheu si ujrat e zeza mes demokratësh; dhe kjo nuk është për t'u krenuar askush. Më e keqja, asnjëherë nuk pranuan të dëgjojnë minimumin e logjikës se kështu po e shkatërrojmë çdo mundësi bashkëjetese, dhe se zgjidhja e vetme ishte ndarja nga Sali Berisha. Nëse ai nuk largohej, demokratët duhej të largoheshin prej tij. Ishte (dhe është) iracionale të shkosh me këmbët e tua drejt humnerës. Për fat të keq, shumica e demokratëve (për njëmijë e një arsye që nuk janë objekt i këtij shkrimi) shkuan pas Sali Berishës. Dhe ai na udhëhoqi drejt humnerës, sepse ai atë rrugë ka marrë.

Tani Partia Demokratike ka prekur fundin. Më poshtë nuk ka, sepse më poshtë është vetëm vdekja. Partia i ngjanë një të sëmuri rëndë që mjekohet me broçkullat e Foltores. Njësoj siç dikur plakat mjekonin me nuska, ose siç disa mashtrues "mjekojnë" kancerin. Fajtorët janë jo vetëm ata që i shkojnë pas Sali Berishës, por edhe ata që predikojnë bashkimin në emër të opozitarizmit.

Ashtu siç kanë shkuar punët ka vetëm një zgjidhje; çlirimi i opozitarizmit nga Sali Berisha. Vetëm kështu mund të kuptohet se ekzistojnë të gjitha arsyet për bashkim apo bashkëpunim, pa pengesa, pa ngërçe, pa sharje, fyerje dhe bullizma. Vetëm kështu mund të ndërtohet një spektër i gjerë opozitar dhe plural. Lufta e ndyrë civile brenda të djathtës duhet mbyllur sot. Përndryshe, t'i qajmë zgjedhjet e vitit 2025. Me Sali Berishën - Edi Rama gjithmonë është i fituar.

Tani t'i shkosh pas Sali Berishës është njësoj si të votosh Edi Ramën. Zoti ua ndriçoftë mendjen shqiptarëve.

Po ndodh...

ide