Sot Edi Rama u detyrua që të rrëzoj Republikën 32 vjeçare të korrupsionit!

2 Shkurt 2023, 13:41 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Sot Edi Rama u detyrua që të rrëzoj Republikën 32

Ish-eksponentit të lartë të FBI, McGonigal, jo vetëm që nuk i duhet hequr dekorata “Qytetar Nderi i Tropojës”, por çdo bashki në Shqipëri duhet të bëjë urgjent të njëjtën gjë.

Edhe presidenti Begaj, sa më shpejtë të mbush një trastë me dekorata dhe ti nis në SHBA ku gjendet nën arrest dhe t`ja varin në kraharor e në qafë. Makutëria e tij për pasuri, dashnore dhe jetë luksi, i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm Shqipërisë, ndaj i meriton.

Ende duke parë vetëm “majën e ajsbergut” me veprimtarinë e tij në Tiranë, na tregoi se si e gjithë klasa e vjetër e korruptuar politike në Shqipëri është një preh i lehtë për ti marrë milionat, që i kanë grabitur shqiptarëve. Çdo ditë del në tavën e tij nga një eksponent i korrupsionit politik 32- vjeçarë. Me kryekrapin në mes të tavës dhe peshq plotë rrotull Berishës dhe Metajt. Dhe ja ku jemi:    

-Neni 1 pro-kundër miratohet, neni 2 pro kundër miratohet...neni 3, 4, 5...50, 62, 70...pro kundër miratohet!

Breshëria si mitraloz 12.7 e kryetares së Kuvendit, (u mërzit shumë se i tha Bardhi Kukull), Lindita Nikolla ishte edhe epilogu i pluralizmit, e demokracisë funksionale. Ishte fundi i asaj që ka nisur që nga janari i vitit 1991 kur Edi Rama i thoshte Berishës se, “Kjo është luftë vetëm për pushtet”, (kupto për të bërë pasuri). Ka rënë edhe Republika false nën peshën e shtetit, politikës dhe pushtetit të korruptuar 32- vjeçarë.

McGonigal u tregua më i shpejtë se SPAK. Në këtë pikë e sollën situatën dhe tani le ta gëzojnë, deri sa ti zërë nën vete pesha e këtij krimi historik që kanë ngjizur që në 1991, duke instaluar Republikën e Korrupsionit.

Edi Rama duket i këshilluar nga avokatët përtej oqeanit, bëri për veten e tij atë që duhej të bënte: U fsheh pas fustanit të Elisa Spiropalit. Ka frikë nga parlamenti dhe transparenca para shqiptarëve duke u strukur kushedi se ku, njësoj siç po bën edhe me mediet më të mëdha ndërkombëtare që i çanë telefonin dhe inboxin e emaileve.

Tani e vetmja strehë që i ka mbetur është alibia “Berisha-Metaj”. Le ta konsumojnë edhe këtë fazë. Çfarë është parashkruar nga amerikanët dhe drejtësia do të bëhet. Të gjithë bashkë po e turbullojnë Shqipërinë me shpresën, se do të shpëtojnë poshtë llumit që kanë krijuar vetë.

Është e vërtetë se po e turbullojnë keq duke ndjell erë 1997-te dhe 21 Janari, por harrojnë se këtë e ka shpjeguar filozofi kinez Konfuci që 2500 vite më parë: Turbullohet që të kthjellohet përfundimisht!/Alfapress.al

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128