Seanca e turpit

7 Dhjetor 2023, 10:31 / EDITORIAL NGA NAMIR LAPARDHAJA

Seanca e turpit
Teatri i përjavshëm parlamentar, nuk përçon më asnjë ndjesi.

"Normalizimi" i shfaqjes, është në të keqen e protagonistëve, që shpresojnë se nëpërmjet saj do arrijnë përfitime politike.

Shqiptarët janë krejtësisht të pandjeshëm dhe refuzojnë të bëhen dekor mbrojtës i politikanëve të korruptuar.

Ata që dikur entuziazmoheshin nga tregimi i “muskujve”, nuk kanë më arsye për të gëzuar.

Ata që shqetësoheshin se diçka mund të ndodhte, e kanë të qartë se shfaqja e përjavshme nuk zgjat më shumë se pesë minuta, përsëritet e njëjta mizanskenë, i njëjti çakmak që ndez me vonesë dhe i njëjti tym që më shumë se sa kundërshtarët bezdis atë që vetë e ndez.

E njëjta pamje edhe me robenspierët e vonuar mbi tavolinë, që me njërën dorë rregullojnë baluket, të shqetësuar për mbarëvajtjen e botoksit, dhe me tjetrën flakin karriget mbi punonjësit e gardës.

Deputetët e “Rithemelimit”, siç edhe duket në pamjet që vijnë çdo javë nga seancat plenare, janë më të demotivuar se kurrë, ndërsa militantët që i ndjekin, të brumosur me zjarrminë e urrejtjes që pjell berishizmi, nuk do të jetë e largët dita që do t’i akuzojnë si bashkëpunëtor të Edi Ramës, meqenëse nuk po e rrëzojnë dot nga pushteti.

Mazhorancës i vjen për shtat kjo situatë e krijuar, sepse, pavarësisht rrëmujës, ajo është e pashqetësuar për të kaluar gjithçka në Kuvend.

Nëse dikur do t’i duhej të rrinte me orë për të diskutuar, ndonjëherë edhe duke e gdhirë në Kuvend, tani nuk i duhen më shumë se pesë minuta për të kaluar buxhetin.

Kjo falë “revolucionit” të Sali Berishës dhe të një grupi të fantaksur që vijojnë ta ndjekin.

Seancat plenare të përjavshme në Kuvendin e Shqipërisë janë shndërruar në turpin e politikës.

Aty nuk ka asgjë politike, vetëm cirk, teatër, komedi.

Demokratët janë të papërfaqësuar nga kjo politikë e mbrapshtë që ka marrë peng të sotmen dhe të ardhmen, duke u frikësuar nga mëkatet e saj në të shkuarën.

Sikur të eksperimentohej, t’i hiqej zëri televizorit, dhe shfaqja e përjavshme të shihe më figurë, por pa zë, seanca e turpit të përjavshëm do të konkurronte denjësisht filmat bardhezi të soc-realizmit.

Po ndodh...