Pse 12 nëntorit ishte miting i treshes Berisha-Rama-Metaj dhe jo i opozitës!

14 Nëntor 2022, 14:26 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Pse 12 nëntorit ishte miting i treshes Berisha-Rama-Metaj dhe jo i

Shumëkush pyet: Çfarë të mbeti në mendje nga mitingu i “Revolucionit Berisha” të shtunën e 12 nëntorit?!

Përgjigjja mund të ishte e thjeshtë, “Asgjë”. Por në fakt gjithë ata njerëz të mbledhur me shpenzime të mëdha të organizatorëve apo të vetë demokratëve, u thirrën vetëm për një fjali të lëshuar nga Berisha në drejtim të Perëndimit: Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet...Dhe shtoi; Nëse nuk garantohet vota e lirë.

Mund ta kishte thënë këtë edhe në një nga konferencat apo takimet e shumta të përditshme por i duhej të tregonte edhe sasi, sepse forcë nuk guxoi dhe as që i interesonte.

E ndava këtë fjali në dy pjesë, pasi ashtu në gojën e Berishës me Ilir Metajn në krahë, nuk kanë kuptim së bashku. Manipulimi, vjedhja, blerja e më shumë grabitja deri me dhunë e votës në Shqipëri, janë themeluar pikërisht nga këta të dy. Rama pastaj i studioi me laps në dorë dhe i ka çuar në këtë fazë sipërore që po “gëzojmë” sot, e kushedi se deri kur.

Vërtetë kanë kaluar 26 vite, por nuk mund të harrohet ajo që ndodhi me zgjedhjet e Berishës president, në zgjedhjet e 26 majit 1996. Edhe pse komisionierët socialistë me urdhër nga lartë braktisën qendrat e votimit, vota u trajtua si magazinat e shqyera të vitit 1997. Mbush thasët dhe transporto, deri edhe me makinat e grupeve kriminale të qyteteve. Dhe pas “numërimit” PD e Berishës, fitoi 122 zona nga 140 gjithsej! Ndërkombëtarët kritikuan procesin zgjedhor, duke e konsideruar atë të manipuluar. Kur opozita në atë kohë tentoj të protestonte, policia nuk e lejoi as të qante dhe madje e gjakosi dhe e dhunoi duke përfshirë edhe Kastriot Islamin, i cili në “protestën” e 12 nëntorit ishte në radhë të parë përkrah Berishës dhe Metajt.

Këto zgjedhje u shënuan nga ndërkombëtarët si njolla më e zezë e demokracisë së brishtë shqiptare dhe vetë Berisha i vuajti gjatë pasojat deri në ato të vitit 2005, kur ujku hodhi lëkurën prej qengji perëndimor të KOP-it të famshëm.

Të jeni të sigurt se te motivacioni i “non gratas” së SHBA, (Pjesa “minues i demokracisë”), këto zgjedhje dhe mënyrën makabre se si u trajtua vota, i ka trajtuar me hollësi!

Kalojmë te ortaku i Berishës Ilir Metaj. Ky i fundit kur ishte kryeministër, në 24 qershor të vitit 2001 organizoi një palë zgjedhje, fiks sipas modelit të Berishës në vitin 1996. Më së shumti ato ishin votime të diktuara nga policia dhe bandat lokale, ndaj edhe ndërkombëtarët për pak nuk i njohën.
Vetëm për hir të stabilitetit ata e detyruan qeverinë socialiste, (Edhe pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese), që votimi të përsëritej në tetë rrethe më 22 korrik dhe dy të tjera më 29 korrik.
Sali Berisha në atë kohë e shpalli Ilir Metën armik të votës së lirë dhe deklaroi se, “kryeministri terrorist Ilir Meta, dhunoi votën e gjysmë milioni shqiptarëve”.

Ndaj pjesa e dytë e fjalisë- mesazh e Berishës drejtuar Perëndimit për votën e lirë” në mitingun e 12 nëntorit, bie. Veçse nëse ata që e besojnë janë kampionë të hipokrizisë, të kapur nga ai, të blerë ose edhe me demencë totale të trurit. Nëse Berisha ka merakun e votës, atëherë përse nuk e zë në gojë zhbërjen e marrëveshjes me Edi Ramën në vitin 2008 për ndryshimin e Kushtetutës së tij me Ramën, pas të cilës mbollën kancerin e demokracisë funksionale; po Reformën Zgjedhore dhe vettingun në politikë?!

Sepse po thuhet që luftoj për të çliruar PD-në nga “Basha i shitur” dhe as një protestë si ai, nuk po e bën dot. Por më kryesorja është se ka bllokuar pikërisht projektin e PD-së pas zgjedhjeve të 25 prillit, që së bashku me ndërkombëtarët të realizonin me, “hir dhe pa hir”, pikërisht ato kolona që rreshtuam më lartë dhe Berisha as që i artikulon më. Dhe besoj këtu nuk ka foltorist e berishist sado të verbër, që të mundet të thotë se shefi i tyre, nuk është në rezonancë të plotë me Edi Ramën.

Ndaj kuptim ka vetëm pjesa e parë e mesazhit të koduar për të cilin u organizua 12 nëntori: Shqipëria nuk do të ketë kurrë stabilitet!

Po ta vini re këtë kërcënim nuk ja adresoi Edi Ramës. Këtij i intereson  “gogoli i destabilizimit” që ju hidhet ndërkombëtarëve pasi është e vetmja fije, (stabilokracia), që e mban në pushtet në mungesë të një opozitë të fortë dhe perëndimore, si dhe mes situatës gjeopolitike pas pushtimit të Ukrainës dhe zgjatjes së duarve të Putin në rajonin tonë.

Ja nisi mesazhin Perëndimit duke pritur që ai ti shkelë syrin apo ti dërgojë ndonjë gjysmë buzëqeshje, që Rithemelimi dhe populli shqiptarë ta konsiderojë si amnisti ndaj Berishës dhe familjes. Edhe në ato 10 minuta që doli këtë të hënë për ta quajtur “protestën” e 12 nëntorit si të paprecedentë në botë për nga madhështia, sërish ju drejtua kancelarive të Perëndimit. Herë duket sikur i shantazhon dhe herë sikur ju lutet, por versioni i dytë është më i besueshëm pas asaj që pamë natën e të shtunës.

Por testi i atij mitingu, nxori se nuk kishte as nerv, as shpresë dhe aq më pak ndonjë shenjë se Perëndimi mund të trembet nga tubime të tilla të bërë me zor, pas 4 muajve e gjysmë përgatitje dhe kushedi sa shpenzime. Ndaj Berisha doli dy ditë më pas dhe riktheu “shiringën me adrenalinë” për ndjekësit e tij, si përherë Lulzim Bashën!

Gjithashtu “gogoli i destabilizimit” i drejtohet edhe gjykatës së Apelit për ligjshmërinë e PD dhe veçanërisht SPAK-ut, ku së bashku me Metajn pret datën për tu pyetur për shumë çështje madhore penale dhe korruptive.

Edhe kjo shënjestër konvenon me interesat e Edi Ramës, i cili po krijon pak nga pak një qeveri dhe një grup parlamentarë të vetin nëpër qelitë dhe zyrat e prokurorëve të SPAK.

Pra protesta e 12 nëntorit pavarësisht se mblodhi goxha njerëz, pavarësisht se gënjeu dhe zhgënjeu shumë demokratë dhe ndjekës së PL-së, në thelb ishte thjesht një valle treshe, Rama- Berisha- Metaj, për ti treguar Perëndimit dhe Drejtësisë, se ata nuk e lëshojnë statukuonë e tyre politike- ekonomike pa destabilizim!/Alfapress.al  

 

Po ndodh...

ide