Foltores së Berishës nuk ja zgjidh dot hallin Gazi dhe Kukësi, por Washingtoni dhe SPAK!

19 Shtator 2023, 10:03 / EDITORIAL NGA NAMIR LAPARDHAJA

Foltores së Berishës nuk ja zgjidh dot hallin Gazi dhe Kukësi,
Duke qenë një lëvizje e mbrujtur nga interesi për t’u bërë mburojë e Sali Berishës nga sulmet anglo-amerikane dhe nga urrejtja ndaj Lulzim Bashës, “Foltorja” është grupim që nuk e bashkon parimi, por pazari për ndarjen e gjësë.

Kandidati i saj në Kukës, pas skandalit Gjici dhe pas lënies së fushës së lirë nga PD zyrtare, në një situatë tjetër, do t’i kishte të gjithë kushtet për të fituar lehtësisht, mirëpo përdorimi që po i bën ‘Grupi i Ndarjes së Gjësë’ këtyre zgjedhjeve, duke dhënë shfaqje bajate si kjo e takimit të deputetëve, jo vetëm që nuk i lë asnjë mundësi për ta fituar, por thjesht do të shërbejë si ‘mushkë beteje’ e ‘halleve’ të Tiranës, që nuk kanë asnjë lidhje me hallet dhe problemet e kuksianëve.
Përveç demokratëve në Kukës, askujt tjetër nuk i intereson fitorja e bashkisë.
Sali Berishës nuk i intereson, sepse ‘halli’ i tij nuk zgjidhet nga Kukësi dhe Tropoja, por nga Brukseli dhe Washingtoni. Edhe SPAK padyshim...

Gazmend Bardhit nuk i intereson, sepse llogaritë e tij nuk dalin nga fitoret e Berishës, por nga humbja dhe asgjësimi politikisht i tij.
Deputetët as mish as peshk, që u venë nga pas të dyve, më shumë se sa nga bindja, i ndjekin nga frika e sulmeve të Berishës ose nga ideja se në politikë shkohet pas të fortit dhe, meqenëse Bashën e konsiderojnë të dobët, e vetmja mundësi për të mbijetuar politikisht është të ndjekin berihanë.

Në këtë panoramë, ku politikën nuk e bashkon interesi i përbashkët për të fituar, por interesi vetjak i të gjithë protagonistëve për të humbur, kjo shfaqje e sotme përveç shëmtisë nuk ka asnjë emër tjetër.
“Foltorja” mund të bëjë mbledhje në Kukës, ashtu siç mund të bëjë mbledhje në të gjithë bashkitë e vendit, por një gjë e tillë nuk ofron asnjë zgjidhje për hallet dhe shqetësimet që kanë qytetet tona.

Siç ka rezultuar edhe më parë, shndërrimi i zgjedhjeve vendore në politike, në kontekstin ku gjendet sot Shqipëria, përveçse favorizon mazhorancën dhe kandidatin e saj, nuk sjell asgjë tjetër.

Kështu që me lëvizjen e sotme, përveçse dëmit elektoral, asnjë e mirë nuk do t’i vijë kandidatit të “Foltores”.

Një demokrat i vjetër kuksianë, teksa shihte pak ditë më parë Mul Nokën që zbriste nga “Range Rover-i” i tij i modelit të fundit, i tha autorit të këtyre radhëve: “Nuk ka fyerje më të madhe për ne kuksianët të na vijë Muli me fodullëkun dhe kapardisjen e tij për të na kërkuar vota. Me Bashën mezi e dëbuam nga dera, Saliu na e futi nga dritarja dhe na e bëri shef të madh.”

ide