Çfarë fshihet pas legalizimit të grupit të deputetëve të Berishës nga presidenti?!

4 Tetor 2022, 13:17 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Çfarë fshihet pas legalizimit të grupit të deputetëve

Vetëm 24 orë pas një vizite dhe një takimi informal mes kryeministrit Rama dhe presidentit Bajram Begaj, ky i fundit nisi takimet me partitë parlamentare për konsultim në lidhje me datën e zgjedhjeve lokale të vitit që vjen.

Meqenëse tema e takimit “kokë më kokë” mes Ramës dhe Begajt që zgjati rreth 40 minuta u mbajt sekret, këtë të martë mund të kuptojmë se përveç çështjeve të tjera, ai kishte të bënte edhe me dekretimin e datës së zgjedhjeve.

Dhe Begaj nuk priti shumë. Siç e thamë, vetëm të nesërmen e takimit të parë të bërë publik me kryeministrin që nga dita që u zgjodh në postin e lartë, ai nisi konsultimet për përcaktimin e një date për zgjedhjet bashkiake.

Deri këtu çdo gjë është normale. Por e papritura, ajo që ra në sy, ishte thirrja zyrtare në presidencë si palë, e deputetit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike të Rithemelimit Oerd Bylykbashi.

Me këtë akt presidenti de fakto ka legalizuar atë që Rama ishte betuar se nuk do ta bënte kurrë; njohjen e grupit të Berishës në parlament. Jo se ky grup nuk ekziston aty. Madje është shumë aktiv dhe i zhurmshëm në denoncime dhe përplasje formale, por nëse flasim për “letrat”, ai deri më tani nga mazhoranca është quajtur informal.

Me kokën e vetë, këshillën apo “urdhrin” e Ramës, (nuk ka shumë rëndësi në pamje të parë), Begaj me lëvizjen e fundit zyrtarizoi Berishën si PD në parlament, përveç grupit tjetër zyrtarë me kryetar Alibeajn, të cilin do ta takojë të mërkurë.

Dhe kjo po ndodh ndërkohë që Gjykata e Apelit në Tiranë në mënyrën më kriminale, kundër parimeve themelore të Kushtetutës për pluralizmin dhe partitë politike, po mban peng legjimitetin e Partisë Demokratike. Kjo e fundit është vërtetë e përçarë në dy grupe, por si entitet politik kushtetues është një dhe vetëm një.

Me këtë lëvizje duket hapur se Edi Rama nëpërmjet presidentit, po i jep shiringën e radhës me adrenalinë grupimit Berisha. Kjo kuptohet edhe nga entuziazmi që ka shpërthyer, menjëherë pas daljes së Bylykbashit nga presidenca.

Nga ana tjetër ky është edhe një sinjal për gjyqtarët dilematik të Apelit, të cilët kanë 7 muaj që bëjnë sikur mendohen për një vendim të thjeshtë legjimiteti.

Gjithashtu ndërhyrja e fundit e presidentit Begaj, (Me shumë gjasa i “këshilluar” nga Rama), veçse shton përçarjen përpara zgjedhjeve lokale në PD dhe përfituesi direkt është vetëm Edi Rama dhe organizata e tij në pushtet.

Edhe Berishës personalisht gjithashtu i intereson ky zhvillim, pasi përveç zyrtarizimit te kreu i shtetit të partisë së tij, ju është dërguar një mesazh deputetëve dilematik brenda grupit zyrtar të udhëhequr nga Alibeaj.

Pavarësisht të gjithave, kjo lëvizje përveçse është një fitore malinje për Edi Ramën dhe një “shiringë” e radhës për Sali Berishës, pa frikë mund të cilësohet si një goditje për bashkimin e Partisë Demokratike, në një të ardhme të afërt.

Për ta kthjelluar: Presidenti Begaj është produkt i votave të PS-së së Edi Ramës. Ky i fundit deri pak kohë më parë ka deklaruar se shumica e tij parlamentare nuk e njeh Sali Berishën dhe grupin e tij të deputetëve. PD-në e tij jo e jo. Po kështu edhe kryesia e Kuvendit, si Parti Demokratike njeh vetëm grupin e Enkelejd Alibeajt. Edhe ata deputetë që janë bashkuar me Berishën që janë pjesë e Komisioneve, ekzistojnë aty si pjesëtarë formal të grupit parlamentarë me kryetar Alibeajn.

Përveç kësaj edhe KQZ vazhdon të ketë në listat e saj vetëm Partinë Demokratike të regjistruar ende në gjykatë me kryetar Lulzim Bashën, pavarësisht se komandën e partisë e ka marrë Enkelejd Alibeaj.

Nëse ju referohemi deklaratave të Sali Berishës dhe gjithë lidershipit të Partisë Demokratike të Rithemelimit, (dhe medieve të tyre), presidenti Begaj ende pa u provuar në detyrë, rezulton thjesht një kukull dhe zar në duart e Edi Ramës.

Por ky “zar” po na del se i ka xhan dhe po ju jep frymë dhe shanse që ligjërisht, ende pa u shprehur Apeli, nuk ju takojnë. Ose më saktë po i ndihmon dora që hedh “zarin”. Dhe sipas Berishës së djeshëm, ajo e ka emrin Edi Rama.

Kujtojmë se shumica socialiste ishte ajo që e zgjodhi me veto, në atë detyrë të rëndësishme. Kujtojmë gjithashtu se grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës bojkotuan procesin.

Pra deputetët e Berishës jo vetëm që e kanë sulmuar ashpër si “zar” të Ramës” presidentin Begaj, jo vetëm që me letra në parlament nuk ekzistojnë jashtë grupit zyrtarë të PD-së, por edhe nuk e kanë votuar fare. Këtij po që i thonë kthim borxhi!

Nga ana tjetër vetë Rama u bë më shumë se një muaj që ka kaluar nga deklaratat për mos ekzistencën e grupit të Berishës si PD në parlament, në flirtim të hapur dhe madje legalizim formal të tyre.

Tani kujdeset ti barazojë “Dy PD- të” duke deklaruar, “se nuk di me kë grup të flasë dhe bisedojë”. Kurse nga ana tjetër flirton hapur edhe me vetë Berishën, duke e mbajtur në lojë të fortë nëpërmjet gjoja debateve dhe replikave të ashpra. U harrua “i vdekuri”, që shfaqet si zombi në parlament...

Për të mos e zgjatur, kjo lëvizje, (nuk do shumë mend për tu kuptuar), çon ujë vetëm në mullirin e Ramës dhe të Berishës. I pari ecën përpara me planin e mbajtjes së PD-së të përçarë në funksion të blindimit të marrjes së bashkive, si paradhënie për mandatin e katërt.

I dyti shtyn edhe pak në kohë me qenien e tij në lojë, duke pritur si ata adoleshentët e dikurshëm një buzëqeshje nga SHBA dhe pastaj të bërtasë: Më do prapë!/Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128