Shkencëtarë kinezë nën akuzë në SHBA për tentativë përdorimi të kërpudhës toksike

4 Qershor 2025, 20:19 / BOTA ALFA PRESS

Shkencëtarë kinezë nën akuzë në SHBA për

Një rast i pazakontë dhe alarmues ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane, pasi një kërpudhë toksike u përshkrua si një “armë e mundshme agroterrorizmi” në një revistë shkencore.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka ngritur akuza ndaj dy shtetasve kinezë, Yunqing Jian, 33 vjeç, dhe Zunyong Liu, 34 vjeç, për kontrabandim të një patogjeni të rrezikshëm, deklarata të rreme dhe mashtrim me viza.

Sipas padisë së ngritur në Detroit, kërpudha Fusarium graminearum, e cila mund të infektojë kultura jetike si gruri, misri dhe orizi, ishte fshehur në çantën e Liu-t kur ai tentoi të hynte në SHBA në korrik 2024.

Patogjeni jo vetëm që përbën rrezik për të korrat, por edhe për shëndetin e bagëtive dhe njerëzve.

Autoritetet thanë se një artikull shkencor i gjetur në telefonin e Liu-së theksonte potencialin e këtij organizmi si një mjet i mundshëm lufte biologjike në kushtet e ndryshimeve klimatike.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Jian dhe Liu kishin shkëmbyer mesazhe që linin të kuptohej një marrëveshje të fshehtë dhe planifikim të kujdesshëm për transportimin dhe ruajtjen e kërpudhës në një laborator universitar në Michigan – një institucion që nuk ka leje federale për të trajtuar patogjenë të tillë.

Gjatë marrjes në pyetje nga FBI, Jian mohoi çdo përfshirje, por në telefonin e saj u gjetën prova që sugjeronin të kundërtën, përfshirë dhe një deklaratë mbështetëse për Partinë Komuniste të Kinës.

Ndërkohë, Liu u kthye në Kinë pasi u ndalua në aeroportin e Detroitit dhe nuk ka mundësi të ekstradohet, për shkak të mungesës së një traktati ekstradimi mes SHBA-ve dhe Kinës.

Autoritetet amerikane e konsiderojnë këtë rast si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

Prokurori amerikan Jerome Gorgon Jr. deklaroi se veprimet e dyshuara të këtyre individëve përfaqësojnë një rrezik real, sidomos në një kohë kur tensionet gjeopolitike dhe ndjeshmëria ndaj bio-rreziqeve janë në rritje.

Jian është aktualisht në paraburgim dhe pritet të dalë në gjyq për një seancë dëgjimore për lirimin me kusht.

 

Po ndodh...