Lufta në Ukrainë, forcat ruse përparojnë në Sumy! 150 kilometra katrorë merren brenda dy javësh

4 Qershor 2025, 19:33 / BOTA ALFA PRESS

Lufta në Ukrainë, forcat ruse përparojnë në Sumy! 150

Forcat ruse kanë shënuar përparim të konsiderueshëm në rajonin verilindor të Sumyt, duke marrë kontrollin e mbi 150 kilometrave katrorë brenda më pak se dy javësh. Situata në terren është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa qyteti i Sumyt, kryeqyteti i rajonit, është tashmë brenda rrezes së sulmeve me artileri dhe dronë.

Sipas platformës ukrainase Deep State, e specializuar në analizën e zhvillimeve ushtarake, ky është ritmi më i shpejtë i avancimit rus për vitin 2025. Forcat ruse kontrollojnë aktualisht rreth 1/5 e territorit të Ukrainës, dhe ofensiva e majit ka intensifikuar presionin në vijën e frontit.

“Zonë sigurie” për të shmangur sulmet ukrainase, urdhër direkt nga Putini

Kremlini ka deklaruar se ofensiva ka për qëllim krijimin e një “zone sigurie” në rajonin e Sumyt, për të parandaluar sulme të ardhshme nga ana ukrainase ndaj territorit rus – një strategji që vjen pas sulmeve të gushtit të kaluar në rajonin rus të Kurskut.

Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi sot se trupat kanë pushtuar vendbanimin Kindratyvka, ndërsa ndodhen vetëm 25 deri në 30 kilometra larg qytetit të Sumyt, duke rritur ndjeshëm rrezikun për popullsinë civile.

4 të vdekur dhe 28 të plagosur në 24 orë

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet ruse gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar të paktën 4 viktima dhe 28 të plagosur në rajonin e Sumyt. Forcat ruse po ndërmarrin kryesisht sulme diversante dhe inkursione pa përdorim të gjerë të mjeteve të blinduara, raportojnë rojet kufitare ukrainase për agjencinë Interfax.

Ndërkohë, Yuriy Podolyaka, një nga komentatorët më të ndjekur ushtarakë në Rusi, ka deklaruar se operacioni rus në veri të qytetit Sumy “po zhvillohet me sukses”.

Analistët: Presion ndaj Ukrainës në Donbas

Analistë ushtarakë paralajmërojnë se përparimi rus në Sumy po kufizon mundësitë e ushtrisë ukrainase për të mbrojtur paralelisht edhe rajonet e Donbasit, të cilat Moska synon t’i marrë nën kontroll të plotë.

Sipas hartës së fundit të publikuar nga Deep State, forcat ruse kanë vendosur pozicione në disa pika kyçe të rajonit, duke e bërë situatën gjithnjë e më të ndërlikuar për komandën ushtarake ukrainase.

 

Po ndodh...

ide