Britania prezanton dronë nënujorë dhe inteligjencë artificiale për t’iu përgjigjur kërcënimit rus

8 Dhjetor 2025, 19:18 / BOTA ALFA PRESS

Britania prezanton dronë nënujorë dhe inteligjencë

Në një kohë tensionesh të shtuara me Rusinë, Britania e Madhe ka prezantuar një strategji të re mbrojtëse për Atlantikun, e fokusuar tek përdorimi i teknologjisë së avancuar ushtarake, përfshirë dronë nënujorë autonomë dhe sisteme të inteligjencës artificiale.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes britanike, nisma vjen si përgjigje ndaj rritjes së aktiviteteve të nëndetëseve dhe anijeve ruse, përfshirë mjetin e njohur të spiunazhit Yantar, i cili u lokalizua muajin e kaluar në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Në qendër të strategjisë që do të zbatohet nën programin “Atlantic Bastion”, ndodhet SG-1 Fathom, një dron nënujor autonom i aftë të patrullojë vazhdimisht në thellësi dhe të identifikojë kërcënime të mundshme përmes sensorëve të fuqishëm akustikë. Të dhënat që mbledh analizohen nga një sistem inteligjence artificiale, i trajnuar me dekada informacion nga operacionet detare britanike.

“Fathom dëgjon dhe monitoron çdo kërcënim nënujës në kohë reale,” shpjegon Katie Raine, drejtoreshë e programit në kompaninë “Helsing”, që bashkëpunoi në ndërtimin e dronit.

Plani përfshin gjithashtu anije pa ekuipazh, helikopterë eksperimentalë dhe dronë gjigantë nëndetës, si “Excalibur”, 12 metra i gjatë dhe me peshë 19 tonë. Këto mjete do të shërbejnë për të mbrojtur kabllot nënujore, gazsjellësit dhe rrjetet energjetike, që konsiderohen pjesë jetike e sigurisë kombëtare britanike.

Sipas autoriteteve, aktivitetet ruse janë shtuar me 30% në dy vitet e fundit, ndërsa nëndetëset e Moskës akuzohen për tentativa hartimi të rrjeteve nënujore britanike. Komiteti i Sigurisë Kombëtare paralajmëron se çdo sulm ndaj tyre mund të shkaktojë dëmtime katastrofike në sistemet financiare dhe të komunikimit të vendit.

Admirali Sir Gwyn Jenkins paralajmëroi se epërsia britanike në Atlantik po ngushtohet, teksa Rusia vazhdon të investojë masivisht në flotën e saj nënujore. Nga ana tjetër, Moska e ka cilësuar reagimin britanik si “histerik” dhe pjesë të një strategjie për të rritur tensionet brenda NATO-s.

Po ndodh...

ide