A dështoi në misionin e tij, Dhjetori '90?!

Të them të drejtën nuk jam marrë asnjëherë me këtë muaj të "demokracisë", sepse janë marrë ata që kanë dashur ta devijojnë misionin historik të lëvizjes studentore e më pas politike të dhjetorit 1990. Kështu që nuk i kanë lënë rradhë askujt të analizojë këtë kohë, "pronë" të tyre.
Për 35 vjet me rradhë, heronjtë e rremë të përmbysjes së komunizmit, e kanë shndërruar në poligon qitjesh ndaj të vërtetave dhe në laborator të epruvetimit të gënjeshtrave për misionin e lëvizjes studentore. E në këtë mënyrë, bashkë me të rinjtë që nga protagonistët realë të përnbysjes, përfunduan në armiq të demokracisë, u vra edhe misioni real i Dhjetorit '90.
Padyshim që heronjve të rremë të rrëzimit të diktaturës, këto të vërteta iu duken herezi dhe ne që i themi, heretikë. Por kjo nuk ka fare rëndësi.
Dhjetori '90 lindi dhe vdiq brenda 20 ditëve të këtij muaji. Pjesa tjetër e historisë së lavdishme, është thjesht demagogji komuniste për të rrëzuar komunizmin e për ta ringjallur atë 20 ditë më pas.
Pse do thoni ju?
Ja disa argumente që shpesh harrohen apo politika zhurmë madhe i retushon duke u fshehur pas titujve të rremë të misionarëve të demokracisë.
Së pari, u retushuan protagonistët reale të ëndrrës për demokraci. 90 përqind e atyre që ishin luftëtarët e vërtetë përballe tankeve dhe mitralozave të Ramiz Alisë, krejt papritur u luftuan e u larguan nga krijesa e parë e demokracisë, Partia Demokratike. Në rreshtin e parë u vendosën menjëherë njerëz të besuar të Partisë së Punës dhe pinjollë të atyre që ishin "rrëzuar" nga pushteti. Kjo garantoi vijimësi të diktaturës me kostum demokracie.
Sa prej atyre të rinjve heronj të atij dhjetori të acartë janë sot protagonistë në jetën politike e publike. Asnjë.
Edhe ata që jetojnë me pardesynë e asaj kohe, janë kryesisht njerëz të mënjanuar e me role honorifike në jetën aktive publike. Disa e kanë kuptuar se e kishin humbur betejën që pas 20 ditëve e kanë parë punët e tyre, ndërsa ata që provuan u shpallën armiq të "demokracisë" dhe u përzunë nga tribunat, kur heronjtë e rremë kapardisen prej 35 vitesh çdo dhjetor.
Në 20 ditët e para, e morën drejtimin e PD, pikërisht ata që kishin gëzuar pushtetin e PPSH.
Nga babai sekretar partie, u bë djali kryetar partie. Kryetarët e kooperativave u bënë drejtorë ndërmarrjes e deputetë. Vit pas viti, ata heronjtë e vërtetë, që ishin dergjur burgjeve e internimeve, filluan të rralloheshin në tribunat e pushteti e më keq, të Partisë Demokratike, e cila në fakt kishte lindur fiks si parti e pronarëve dhe të persekutuarve.
Si mund të themi sot se Dhjetori '90 ishte një mision që arriti qëllimin, kur të ish- të persekutuarit janë ende të persekutuar, ndërsa pronarët vazhdojnë të jenë ish-pronarë?!
Ish- të dënuarit e diktaturës sot janë shtresa më e nëpërkëmbur, që dinjitet nuk morën që nuk morën kurrë, por as një grusht para për të cilat politika i ka përdorur sa herë iu kanë dashur.
Po pronarët e ngratë, që nga thirrja e denokracisë: Prona tek i zoti, në ligjin e famshëm 7501, kur prona shkoi prapë tek ata që e kishin patur për 50 vjet.
Sa pronarë e kanë gëzuar pronën e tyre sot pas 35 dhjetorë paradash feste të politikës?!
Shumë pak. Ndoshta ata që politikën e panë si mjet fitimi dhe jo tribun demokracie.
Si mund ta ketë arritur misionin e tij Dhjetori '90, kur persekutorët shfaqen triumfatorë para të persekutuarve të tyre, si në asnjë vend tjetër ish-komunist në Europë?
A mund të flasim për mision, kur ata që mbushen dosjet e sigurimit duke vrarë e dënuar mijëra shqiptarë pa faj e gjyq, janë sot në drejtësi e pushtet. Janë të shpërndarë me normë në dy krahët e politikës!
PD ka qenë jo pak në pushtet dhe asnjë nga këto "padrejtësi" nuk i korrigjoi. Nuk bëri asgjë.
Ndaj sot, 35 vjet më pas, pikërisht në ditët kur trupi dridhej jo nga i ftohti por nga emocioni që jepte ëndrra për demokraci, kuptojmë që Dhjetori '90, ishte një ëndërr që nuk u bë kurrë realitet.
Jo se misioni i mijëra të rinjve ishte i gabuar, por sepse misioni i tyre u devijua në një mision për pushtet.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
A dështoi në misionin e tij, Dhjetori '90?!
Sekretari i Parë i PD
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
