Rrëzohet avioni në Maqedoninë e Veriut, lëndohen dy shqiptarë

12 Dhjetor 2025, 17:24 / AKTUALITET ALFA PRESS

Rrëzohet avioni në Maqedoninë e Veriut, lëndohen dy

Dy shqiptarë nga Kosova janë lënduar pasi avioni i vogël sportiv me të cilin po fluturonin u rrëzua në Liqenin e Mavrovës më 12 dhjetor.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë tha se shtetasit e Kosovës Xh.P. (41 vjeç) dhe D.M. (64 vjeç) janë dërguar në Spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor.

Avioni i vogël, sipas këtij institucioni, u rrëzua në Liqenin e Mavrovës, afër digës Kanali i Beliçit, në orën 12:35.

“Sipas raportimit, nga avioni në tokë kanë arritur të dalin dy shtetas kosovarë, XH.P. dhe D.M., i cili drejtonte mjetin fluturues. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në Qendrën Mjekësore Gostivar për të marrë ndihmë mjekësore”, tha ky sektor.

D.M., sipas sektorit të MPB-së, u tha policëve që dolën në vendngjarje se avioni që ai drejtonte kishte një problem në motor dhe ai më pas ateroi në liqen.

Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut njoftoi se pas marrjes së informacionit për rrëzimin e avionit, menjëherë në vendngjarje dolën ndihma e shpejtë, qendra rajonale e menaxhimit të krizave për ndërhyrje të shpejtë dhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, avioni i markës Piper mund të transportojë deri në katër persona. Avioni që u rrëzua kishte qarkulluar edhe më herët në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe kishte marrë pjesë edhe në ngjarje të aviacionit, sikurse një shfaqje ajrore e organizuar në Shkup më 2023./REL

Po ndodh...

ide