Media gjermane: “Revolucioni i Flamingove” trondit Ramën, protestat kundër qeverisë kthehen në revoltë për të ardhmen e Shqipërisë

“Diçka të tillë nuk e kemi përjetuar kurrë më parë në Shqipëri”. Kështu e përshkruan Florian Haçkaj atmosferën e protestave që prej më shumë se dy javësh po mbledhin mijëra qytetarë në Tiranë.
Në reportazhin e saj të gjerë kushtuar zhvillimeve në Shqipëri, media prestigjioze gjermane Handelsblatt sjell rrëfimin e emigrantit shqiptar që jeton në Zvicër dhe që është kthyer bashkë me familjen për t’iu bashkuar protestës.
“Kam 24 vjet që jam larguar, por zemra ime është ende këtu. Më në fund shqiptarët nuk kanë më frikë, më në fund po guxojnë të ngrihen në këmbë”, citohet të ketë thënë Haçkaj mes mijëra protestuesve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas gazetës gjermane, protestat kundër resortit luksoz të planifikuar në Vjosë-Nartë dhe në ishullin e Sazanit janë shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë qytetare, e cila po sfidon hapur qeverinë e Edi Ramës dhe mënyrën e qeverisjes së vendit.
Projekti i Zvërnecit dhe Sazanit
Sipas Handelsblatt, pas projektit të diskutueshëm qëndrojnë investitorët Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Media gjermane kujton se rajoni i Vjosë-Nartës konsiderohet një nga zonat ligatinore më të rëndësishme në Evropë, ku jetojnë mbi 200 lloje shpendësh, mes tyre më shumë se 70 specie të rrezikuara. Artikulli nënvizon se kundërshtimi ndaj projektit nuk lidhet vetëm me ndikimin mjedisor, por edhe me mënyrën se si po merren vendimet për zhvillimin e zonave të mbrojtura. Pse flamingot u bënë simbol i protestës Handelsblatt shpjegon se flamingot, të cilat shumohen në lagunën e Nartës, janë kthyer në simbolin kryesor të protestës. Për këtë arsye lëvizja është pagëzuar nga vetë protestuesit si “Revolucioni i Flamingove”. Megjithatë, sipas medias gjermane, për shumë qytetarë projekti është vetëm “pika që derdhi gotën”. Zemërimi i akumuluar prej vitesh ndaj korrupsionit, përfitimeve klienteliste dhe mungesës së transparencës në elitën politike konsiderohet arsyeja e vërtetë e shpërthimit të protestave. Mosbesimi ndaj institucioneve Në analizë theksohet se besimi i qytetarëve shqiptarë tek institucionet shtetërore mbetet i ulët. “Edhe pse në këtë rast nuk ka ende prova konkrete për parregullsi procedurale, për shumë shqiptarë dyshimi për korrupsion është i menjëhershëm”, shkruan Handelsblatt, duke shtuar se vendi është përballur vazhdimisht me akuza për nepotizëm, mungesë të pavarësisë së drejtësisë dhe ndërhyrje politike që prej rënies së komunizmit. Kërkesat politike të protestuesve Media gjermane evidenton gjithashtu se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe largimin e liderit të opozitës, Sali Berisha. Sipas Handelsblatt, në thelb të protestave që tashmë kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe po mbështeten nga diaspora në vende të ndryshme të Evropës, qëndron pyetja se kujt i përket realisht vendi dhe në ç’drejtim do të ecë e ardhmja e Shqipërisë. Në përfundim, gazeta gjermane thekson se shkëndija që ndezi valën e protestave ishte publikimi i një videoje lidhur me projektin e planifikuar, por sot lëvizja përfaqëson një pakënaqësi shumë më të gjerë ndaj klasës politike dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.
Po ndodh...
Ik Sali të bjerë Rama
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128