Çfarë ndodhi 15 Dhjetorin e 1975-ës? Sulmi jugosllav ndaj anijes shqiptare dhe misteri që mbuloi hetimet

29 Nëntor 2023, 22:49 / TRENDING ALFA PRESS

Çfarë ndodhi 15 Dhjetorin e 1975-ës? Sulmi jugosllav ndaj

Emisioni ‘Real Story’ transmeton për herë të parë dokumentarin e sulmit ndaj peshkarexhës shqiptare nga jugosllavët më 15 dhjetor 1975, të përgatitur nga gazetari Ferdinand Dervishi. Një anije jugosllave hapi zjarr kundër peshkarexhës shqiptare dhe nga sulmi me predha, mbeti i vdekur në vend kapiteni Fran Ivanaj.

Nga sulmi i jugosllavëve humbi jetën kapiteni Fran Ivanaj, i cili ishte në shërbim. Ditë më pas, komisionet hetimore dypalëshe vërtetuan se anija shqiptare nuk ishte futur në ujërat jugosllave dhe se incidenti kishte ndodhur në brendësi të ujërave territoriale shqiptare. Por ngjarja u mbulua me mister.

Në këtë kohë, deti territorial i Shqipërisë ishte ndarë në kuadrate, të cilat peshkatarët duhet t’i respektonin. Peshkarexhës ‘Islam Mustafa’ i ishte dhënë leja që të lundronte në kuadratet 30 dhe 34 që kufizoheshin me kufirin ndarës të ujërave territoriale shqiptare me ato jugosllave.

Rrok Tom Marku, motoristi i peshkarexhës, kujton se incidenti kishte ardhur krejt papritur pasi zona ku ndodheshin ishte një vend i zakonshëm gjuetie për anijet shqiptare të peshkimit.

“Na njoftuan që të çohemi se po vjen një anije nga ana e veriut. Jemi çuar, është sjellë anija rreth e rrotull nesh. Na thanë për t’u dorëzuar dhe iu thamë se jemi në ujërat tona. Më pas, me manovrimet e saj, u afrua edhe më afër.”, tregon Marku për këtë përballje, që sipas ministrisë së Mbrojtjes, zgjati 45 minuta.

Anija ushtarake jugosllave pasi afrohet në distancën 10 metra, qëllon disa herë me armë zjarri të kalibrit 25 dhe 37 mm mitraloz të lehtë dhe automatik. Anija e peshkimit u godit në nëntë vende.

“Njoftuam drejtorinë, solli katër siluruesit dhe i kanë parë me radarë. U larguan në drejtimin e tyre. Ne shkuam në port edhe erdhën shokët e punëve të Brendshme dhe na morën në pyetje. Ka qenë ora 5 e mëngjesit që ndodhi, dhe kemi ndenjur dy muaj gati për kontroll për të verifikuar vendin se ku ndodhi”.

Robert Bali, ish komandant i bazës ushtarake të Shëngjinit, kujton se vartësit e tij kërkesës për ndihmë të ardhur nga ekuipazhi të peshkarexhës iu përgjigjën menjëherë duke mbërritur në kohën e duhur në vendngjarje.

“Reparti kishte një vit që ishte krijuar dhe ishte ngritur një grup drejtimi më i kompletuar. Një ditë të dhjetorit vjen sinjali nga peshkarexha se po na sulmon anija jugosllave dhe menjëherë më vjen sinjali. Jam urdhër që të dalin dy katër silurues të gatshëm, shkoj në pikën e drejtimit mbi Rënën e Hedhur.

Kur mbërrij atje marr njoftimin se katër siluruesit kërkojnë për të hapur zjarr ndaj saj sepse në këtë kohë kishte ndodhur goditja e anijes tonë me top 25 mm. Në atë kohë, unë lidhem me ministrinë e Mbrojtjes, i raportoi sepse anijet e kanë kapur, kërkoi leje për qitje dhe më tha jo pa urdhrin tim”, theksoi Bali.

Po ndodh...