Egnatia fiton me gol në shtesë ndaj Breidablik, debutuesi Gruda heroi i natës europiane!

8 Korrik 2025, 23:32 / SPORT ALFA PRESS

Egnatia fiton me gol në shtesë ndaj Breidablik, debutuesi Gruda heroi

Egnatia e ka nisur me fitore aventurën në Ligën e Kampionëve.

Në ndeshjen e parë ndaj islandezëve të Breidablik, rrogozhinasit triumfuan me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar në minutat shtesë nga Ildi Gruda, sulmues që vetëm pak ditë më parë kishte firmosur me klubin.

Rrogozhinasit e nisën keq takimin pasi humbën një titullar që në minutat e para, Edison Ndreca u largua për shkak dëmtimi dhe në vend të tij u fut blerja e re Anio Poçi.

Në minutën e 18-të, Egnatia pati një shans shumë të mirë për të gjetur golin, por fillimisht Regi Lushkja dhe më pas Kastriot Selmani nuk u treguan të saktë. Pjesa e parë edhe pse u dominua nga të besuarit e Edlir Tetovës u mbyll në barazim pa gola.

Fillimi i pjesës së dytë foli sërish për rrogozhinasit, të cilët shpërdoruan disa raste me Bakayoko, duke mos arritur dot t’i konkretizonin me gol. Në minutën e 74-të, Poçi i afrohet shumë golit, por goditja e tij e fortë ndalet nga traversa.

Mundi i rrogozhinasve do të shpërblehej në minutat shtesë, ku gjetën golin me blerjen e re, Ildi Gruda. Shkodrani pasi mori një top të gjatë nga mbrojtja, e dërgoi atë në rrjetë, duke ngritur “peshë” gjithë stadiumin.

Egnatia fiton 1-0 dhe shkon me avantazhin e një goli në ndeshjen e kthimit, pas një jave në Islandë.

 

Po ndodh...

ide