Zgjedhjet e 11 majit/ “Do të bëjmë analizë, por jo një gjah shtrigash”/ Berisha: Jemi në fazën e betejës vendimtare

2 Dhjetor 2025, 21:00 / POLITIKË ALFA PRESS
Zgjedhjet e 11 majit/ “Do të bëjmë analizë, por jo

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi sot angazhimin e tij dhe të Partisë Demokratike për mbrojtjen e votës.

Në foltoren e parë të turit të tij të zhvilluar pasditen e sotme në njësinë nr. 9 në kryeqytet, Berisha u shpreh se është zotuar para qytetarëve për mbrojtjen e votës.

“Jam zotuar para jush se do mbroj votën tuaj dhe mund t’ju them se kjo gjë u realizua plotësisht”, tha ai.

Berisha kujtoi sfidat që opozita ka kaluar për të garantuar procesin demokratik, duke shtuar se, “kur kam thënë do mbrojmë votën, nuk kam thënë se do e mbrojmë me kallashnikovë, as me armë, por e mbrojtëm votën në vitin 2021, ishit dëshmitarë vetë se çfarë bëri policia për të na i marrë zgjedhjet, por mori një damkë ndërkombëtare”.

Ai shtoi se pavarësisht presioneve të jashtëzakonshme, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe diplomatët ishin të qëndrueshëm dhe raportuan drejtë procesin zgjedhor.

“Dhe raporti i këtij viti, në kushte shumë të vështira, nuk ishte e thjeshtë mbrojtja. Edi Rama bëri presione të jashtëzakonshme, por ne u detyrohemi shumë atij diplomati dhe atyre vëzhguesve, të cilët pavarësisht presioneve të turpshme që u ushtruan mbi ta, nuk lëvizën asnjë fjalë, përkundrazi, e plotësuan raportin”, shtoi Berisha.

Kreu i PD foli edhe për situatën ekonomike dhe demografike të vendit.

“Me mijëra punëtorë humbën vendet e punës sepse eksportet dhe prodhimi industrial ranë, ndërsa shumë familje që jetojnë me remitanca marrin më pak për shkak të zhvlerësimit të euros”, tha Berisha.

“Nga një komb ndër më të rinjtë në Europë dhe në botë, sot jemi kombi me numrin e lindjeve më të ulët, ku vdekjet dominojnë mbi lindjet. Shqipëria humbet rreth gjysmë milion banorë për shkak të emigracionit dhe krizës demografike”, theksoi ai.

Berisha ftoi anëtarët e partisë të fillojnë një analizë të thellë të brendshme, duke i bërë thirrje secilit të japë mendime dhe kritika.

“Do të bëjmë një analizë të shkëlqyer, por jo një gjah shtrigash! Jemi në fazën e betejës vendimtare, Edi Rama nuk do e gëzojë mandatin e katërt. Secili prej jush është i ftuar të japë mendime, të bëjë kritika për cilido, të bëjë propozime. Dy kërkesat e mia janë të qarta: jo gjah shtrigash dhe përgjegjësi me fakte e argumente”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për ndalimin e ish-përfaqësueses e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

“Ajo zonja që u arrestua dhe unë e përgëzoj, ajo nesër do ishte në Tiranë. Edi Rama i kishte bërë programin që t’i merrte deklarata asaj, por për fat të mirë Eurojust ia dha deklaratat asaj që i meritonte”, tha Berisha.

Ky aktivitet i kreut të PD, Sali Berisha është pjesë e turit të foltoreve që ai po zhvillon nëpër Tiranë, për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët.

Po ndodh...