Një tjetër adoleshent u vra, reagon nëna e Martin Canit: Mos na i merrni fëmijët

4 Dhjetor 2025, 23:14 / AKTUALITET ALFA PRESS

Një tjetër adoleshent u vra, reagon nëna e Martin Canit: Mos na i

Tragjedia e përsëritur e një adoleshenti që humb jetën nga dhuna ka tronditur sërish opinionin publik. Pas lajmit për vdekjen e 15-vjeçarit Erjon Boba në Durrës, ka reaguar Florina Cani, nëna e Martin Canit, djalit 15-vjeçar që u vra një vit më parë në Tiranë nga një bashkëmoshatar.

Në një prononcim për Top Channel, Florina Cani ka shpërthyer në dhimbje dhe revoltë, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet dhe më shumë mbrojtje për fëmijët.

Më është tronditur shpirti përsëri. Për Erjonin kam shkruar shumë herë; dua të jem zëri i fëmijëve tanë, por e vërteta është e dhimbshme.
Pse nuk reagojnë institucionet? Shkolla duhet të jetë vend sigurie, jo lufte. Martini, Eraldo, Erjoni… Emra fëmijësh që nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës. Janë plagë për zemrat tona dhe alarm për gjithë shoqërinë.
Unë kërkoj mbrojtje për fëmijët tanë. Mos na i prekni fëmijët, mos na i merrni fëmijët. Zgjohuni! Merrni masa, ndaloni dhunën. Fëmijët tanë kanë të drejtë të jetojnë,”
 është shprehur ajo.

15-vjeçari Erjon Boba humbi jetën pas disa ditësh në gjendje kritike, pasi u godit me thikë gjatë një konflikti me bashkëmoshatarët në Durrës. Ngjarja ndodhi në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës, ku sipas policisë, sherri nisi pas një debati në rrjetet sociale.

Burimet bënë me dije se adoleshentët u takuan “për t’u sqaruar”, por debati u përshkallëzua në përleshje fizike. Gjatë sherrit, një 14-vjeçar me inicialet M.K. e goditi Erjonin me thikë katër herë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

I plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Durrësit dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve. Autori i dyshuar është arrestuar menjëherë nga policia.

 

Po ndodh...