Zgjedhjet e parakohshme, PDK e LDK hapin dyert, AAK e nisma garojnë vetëm

4 Dhjetor 2025, 23:22 / KOSOVA ALFA PRESS

Zgjedhjet e parakohshme, PDK e LDK hapin dyert, AAK e nisma garojnë

Partitë politike në Kosovë po vijojnë të bëhen gati për zgjedhjet e parakohshme të këtij muaji. Çdo ditë, partitë po prezantojnë figura të reja të cilat do të jenë edhe kandidatë për deputetë.  Më aktive janë shfaqur dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK. Kjo e fundit do të përfshijë në listë edhe Ukë Rugovën, të birin e presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Vlerësoj se janë aderime cilësore dhe me figura të tilla të dëshmuara në aspektin e tyre të jetës profesionale para aderimit të tyre në këto parti politike, besoj që janë vlerë e shtuar jo vetëm për partitë në të cilat kanë aderuar por nesër si potencialisht udhëheqës të dikastereve të caktuara”, tha Valdet Hoxha njohës i çështjeve politike.  

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt që në zgjedhjet e shkurtit garuan përmes koalicionit, në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë veçmas. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje formalizoi koalicionin me Listën Guxo dhe partinë Alternativa e të cilëve iu bashkua edhe Partia Demokristiane.

Nisma ka qenë në bisedime të vazhdueshme me PDK e LDK për një koalicion të mundshëm, por nuk u arrit. Në sytë e njohësve të çështjeve politike në Prishtinë, Limaj rrezikon të mos e kalojë pragun duke garuar si e vetme.

“Për Nismën kam rezervat e mija dhe nuk do të ishte e mençur në qoftë se garojnë si të vetme sepse rezultatet e fundit nuk japin shpresë që mund të përkthehet në votë në numër të caktuar që do të ishte mjaftueshme për ta rritur pragun prej 5%”

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që në zgjedhjet e fundit lokale, arriti të ruajë pesë komunat në të cilat udhëhiqte, shihet në pozicion më të mirë.

“Konsideroj se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është komode dhe rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale e kanë validuar një forcë reale në terren dhe në të gjithë Kosovën prandaj nuk besoj që rrezikon aspak me kalimin e pragut”.

Deri të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 17 parti politike për të zgjedhjet e 28 dhjetorit, tri koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur./A2

 

Po ndodh...