"Të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që dhunojnë dhe kanosin gazetarët"/ Tabaku "vjedh" propozimin e Zhupës, a do ta pranojë PS?

2 Dhjetor 2025, 13:10 / POLITIKË NGA ALFAPRESS.AL

"Të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që dhunojnë dhe

Ditën e djeshme deputetja e PD, Jorida Tabaku nëpërmjet një shkrese drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, në kuadër të ndryshimeve në Kodin Penal, ka propozuar një nen për ashpërsimin e dënimeve ndaj atyre që dhunojnë, kanosin apo shantazhojnë gazetarët dhe mediet.

Ky propozim në fakt është "vjedhur" copy paste nga deputetja tjetër e PD, Ina Zhupa, e cila ka bërë propozimin dhe ka depozituar në Kuvend projektligjin për ndryshimin e nenit 138, Kanosje për shkak të detyrës, (Shiko dokumentin më poshtë) që në 7 shkurt të vitit 2023.

"Të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që dhunojnë dhe

"Të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që dhunojnë dhe

Që atëherë deri dje socialistët e varrosën këtë propozim, duke pranuar në datë 1 dhjetor, të njëjtën gjë por këtë herë në emrin e Jorida Tabakut.

"Të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që dhunojnë dhe

Në thelb nisma që vjen nga deputetë të opozitës është e domosdoshme, por interesante është të shihet në vijim, nëse socialistët do të kalojnë dhe votojnë një nen të bllokuar kur mbante autorësinë e Ina Zhupës dhe sot atë të Jorida Tabakut, pavarësisht se është e njëjta gjë.

Historiku i propozimit nga Zhupa te Tabaku

Nisma e Zhupës në vitin 2023, e depozituar zyrtarisht pranë Kuvendit, parashikonte pikërisht të njëjtat ndryshime që sot vijnë të firmosura nga Tabaku: rritjen e dënimeve për goditje dhe kanosje ndaj gazetarëve, operatorëve, fotoreporterëve dhe çdo punonjësi të medias për shkak të detyrës. Zhupa në atë kohë argumentonte se situata në terren, e shoqëruar me një klimë politike agresive ndaj mediave dhe me raste të përsëritura dhune, e bënte të domosdoshme mbrojtjen ligjore të këtij grupi njësoj si për policët dhe mjekët.

Por pavarësisht se nisma u depozitua zyrtarisht më 7 shkurt 2023 dhe plotësonte kushtet për t’u futur në kalendarin e komisioneve, shumica socialiste nuk e përfshiu asnjëherë në rendin e ditës. Propozimi i Zhupës mbeti për më shumë se dy vite në “sirtarin” e Kuvendit, pa asnjë diskutim, pa raport nga komisionet dhe pa asnjë vullnet politik për t'u çuar për votim në seancë plenare.

Ironikisht, vetëm pak ditë më parë, në 1 dhjetor 2025, socialistet pranuan të regjistrojnë të njëjtin propozim, të njëjtin tekst dhe të njëjtin amendament… por të sjellë këtë herë nga Jorida Tabaku. Ngjashmëria e dy teksteve është e plotë, deri në formulim, referencë dhe përmbajtje, çka ngre pyetjen e natyrshme: pse e refuzuan për dy vite rresht kur autorësia mbante emrin Ina Zhupa, dhe pse e pranojnë tani që vjen nga Jorida Tabaku?

Fakti që teksti është praktikisht i njëjtë e bën edhe më të dukshëm standardin e dyfishtë procedural në Kuvend: një nismë, e pambështetur nga mazhoranca kur vjen nga një deputete e caktuar e opozitës, papritur merr dritën jeshile kur firmoset nga një deputete tjetër, edhe pse substanca nuk ndryshon në asnjë presje.

Nëse socialistët do ta çojnë përpara dhe do ta votojnë këtë radhë, atëherë procesi konfirmon se pengesa nuk ka qenë asnjëherë përmbajtja, por emri i propozueseve. Nëse përkundrazi edhe nisma e Tabakut mbetet pezull, atëherë bëhet e qartë se partitë e mëdha e përdorin mbrojtjen e gazetarëve si kartë politike, jo si domosdoshmëri funksionale në një shtet demokratik.

Në çdo rast, thelbi mbetet po ai: gazetarët në Shqipëri vazhdojnë të punojnë në një mjedis me rritje të presioneve dhe kanosjeve, dhe mbrojtja e tyre ligjore kërkon urgjencë, pavarësisht se kush e firmos nismën./Alfapress.al

Po ndodh...