Presidenti Begaj takohet ‘kokë më kokë’ me Borrell në New York, zbardhen detajet nga biseda

19 Shtator 2023, 21:48 / POLITIKË ALFA PRESS

Presidenti Begaj takohet ‘kokë më kokë’ me Borrell

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi këtë të martë një takim me përfaqësuesin e Lartë dhe zëvendës presidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë të të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së.

Presidenti falenderoi Borrel për mbështetjen dhe vëmendjen që ai ka treguar gjithmonë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe proceseve integruese të tij dhe veçanërisht për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Begaj shprehu vlerësimin për përkushtimin e Përfaqësuesit të Lartë dhe Komisionit për të mbajtur në fokus integrimin e rajonit, pavarësisht debateve dhe diskutimeve brenda BE-së.

Në këtë kontekst ai theksoi se një perspektivë e qartë evropiane e rajonit, është garanci për sigurinë dhe të ardhmen e tij. Begaj u shpreh shpresëplotë për pasjen sa më shpejt, të rezultateve të prekshme dhe konkrete në proceset integruese në hapjen e grup-kapitujve themelorë nëpërmjet konferencës së dytë ndërqeveritare dhe siguroi se Shqipëria do të vijojë me vendosmëri procesin e reformave të brendshme.

Në takim, Presidenti i Republikës dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së diskutuan edhe mbi situatën në Kosovë duke ritheksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe të mbështetur nga SHBA, është e vetmja rrugë për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu është gjithashtu rruga e domosdoshme për integrimin e Kosovës në BE.

Bashkëbiseduesit vlerësuan me rëndësi që palët të punojnë së bashku për hapat e tjerë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në shkurt dhe mars 2023, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në takimet e ardhshme për dialogun.