Kush janë të shiturit dhe pengjet e vërtetë?

13 Mars 2023, 21:38 / EDITORIAL NGA NAMIR LAPARDHAJA

 Kush janë të shiturit dhe pengjet e vërtetë?

Domethënë, ju po thoni që të kesh qenë 25 vjet sekretar partie, si Sali Berisha, je antikomunist dhe të kesh lindur në internim, si Enkelejd Alibeaj, je i shitur tek komunistët?!

Domethënë, që të merremi vesh çfarë po na dëgjojnë veshët, të kesh qenë prej 30 vitesh njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, si Sali Berisha, nuk ke asnjë përgjegjësi për çfarë ka dështuar në këtë vend, dhe të mos kesh pasur asnjë përgjegjësi të kësaj natyre, si Enkelejd Alibeaj apo grupimi i tij, mbart mbi supe peshën e fajit dhe të përgjegjësisë për dështimet e tranzicionit shqiptar?!

Domethënë, ju po na mbushni mendjen se të kesh dalë nga paradhoma e Ramiz Alisë, si Sali Berisha, të kesh vajtur tek studentët me mision, madje të jesh regjistruar me zë dhe me figurë, kur ke folur për arritjet dhe luftën heroike të shokut Ramiz Alia, ke kërkuar moscenim të figurës së tij me ndonjë akuzë e pahijshme dhe të kesh pasur të qartë se pushteti është mbi gjithçka, je i lirë, ndërsa të kesh qenë adoleshent dhe fëmijë në atë periudhë, të mos mbartësh asnjë ngarkesë të kësaj natyre nga e kaluara, si Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku apo dhe të tjerë, je i marrë peng?!

Domethënë, ju po na thoni se të kesh një mal me akuza për korrupsion ndaj vetes dhe familjarëve të tu, si rasti i Sali Berishës, të afërmëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, e zhvillon betejën për dinjitet dhe për demokraci, ndërsa të jesh tërësisht i lirë nga akuzat dhe nga çdolloj përbaltje tjetër që mund të shkaktojë pushteti, si grupimi i deputetëve dhe i demokratëve që i kanë bërë qëndresë revanshit të përbaltjes revolucionare, je në hall dhe të kanë zënë kokën me derën e drejtësisë?!

Domethënë, që të kuptohemi drejt dhe saktë, ju po na thoni që të kesh bashkë me pushtetin të njëjtët miq dhe mbështetës oligarkë, siç ka Sali Berisha të njëjtët klientë me Edi Ramën, i ke shpallur luftë oligarkisë dhe je duke luftuar për njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm, ndërsa t’i kesh të gjithë oligarkët kundër, mjafton të shohësh linjat editoriale të televizioneve të tyre, siç i ka grupimi i Enkelejd Alibeaj dhe i PD-së zyrtare, je i shitur dhe i marrë peng?!

Domethënë, ju po na mbushni mendjen se të mbrosh të pambrojtshmit, të amnistosh të korruptuarit dhe t’i dalësh në krah çdo abuzuesi dhe shkelësi ligji, siç bën Sali Berisha sa herë ka interesa të ngushta dhe personale (mjafton së fundmi rasti Ahmetaj), je luftëtar i drejtë dhe i virtytshëm, ndërsa të denoncosh përditë me fakte, dokumente, emra dhe mbiemra, siç bën Alibeaj, Bardhi dhe deputetë të tjerë të PD-së, nuk i shërben qytetarëve, por pushtetarëve?!

Domethënë, juve iu është fiksuar se të kesh bashkëpunuar me komunistët, të kesh përdorur ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, të kesh promovuar në kupolën e sistemit të drejtësisë ish-xhelatët e regjimit komunist, siç ka bërë sa herë që ka qenë në pushtet Sali Berisha, je politikan vizionar dhe antikomunist, ndërsa të kërkosh veting për politikanët, siç ka kërkuar vazhdimisht Lulzim Basha, të kërkosh ligj për lustracioin apo për të përjashtuar nga postet e larta shtetërore ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, siç ka kërkuar Alibeaj-Bardhi, apo edhe të të kenë djegur karrierën politike, ngase nuk ke votuar ish-xhelatët e regjimit komunist për t’u promovuar në sistemin e drejtësisë në demokraci, siç i ndodhi Enkelejd Alibeajt gjatë qeverisjes së Sali Berishës, je i shitur dhe i marrë peng?!

Domethënë, që të marrësh mbështetjen e të majtëve, ish-ministrave të Ramës, apo analistëve të oborrit të tij mediatik, siç ka ndodhur vazhdimisht këto kohë me Sali Berishën, je në rrugë të mbarë dhe të drejtë, ndërsa të sulmohesh përditë prej tyre, si rasti i fundit i Komisionerit Qendror të Zgjedhjeve, apo përditë në ekranet televizive me sharje, ofendime dhe linçime nga po këta analistë dhe opinionistë, siç i ndodh Bashës, Alibeajt, Bardhit apo edhe deputetëve dhe mbështetëse të tjerë, je i shitur dhe i marrë peng?

Domethënë, të dashur demokratë, juve iu kanë mbushur mendja se po ta çosh PD-në tek Ilir Meta dhe partie e tij familjare, siç po bën Sali Berisha, do një parti të fortë dhe të bashkuar, duke forcuar kështu edhe më shumë të majtën, duke fuqizuar një tjetër parti, madje edhe më të majtë se sa ajo në pushtet, dhe të kërkosh përditë bashkim real të PD-së, me kandidat të përbashkët, mbi vlera dhe parime, me logo zyrtare të Partisë Demokratike, siç po kërkon Alibeaj dhe Bardhi, je i shitur dhe i marrë peng?!

Domethënë, të nderuar njerëz që arrini të analizoni mbi fakte dhe ato që shihni, juve ju kanë mbushur mendjen se të mbash ndezur konfliktin me shtëpinë tënde dhe me njerëzit e tu, që deri dje i keni pasur në krah dhe në të njëjtën llogore, siç po bën përditë Sali Berisha dhe capak tuhafë rreth tij, është në të mirë të marrjes së pushtetit dhe të fitores, ndërsa të mos e ushqesh konfliktin dhe të kërkosh bashkim dhe bashkëpunim mbi vlera politike dhe njerëzore, të mbështetur nga partnerët dhe miqtë historikë të këtij vendi, siç ka kërkuar Alibeaj dhe grupimi i tij i deputetëve, është në dëm të fitores dhe të demokratëve?!
Që të kuptohemi, kush janë të shiturit dhe pengjet e vërtetë?!

Po ndodh...