Dyfyrësia e Edi Ramës me sipërmarrësit shqiptarë

17 Mars 2023, 13:37 / POLITIKË NGA ALFAPRESS

Dyfyrësia e Edi Ramës me sipërmarrësit shqiptarë

Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë së kualifikuar.

Alarmi i parë për këtë fenomen është dhënë nga tregu i punës, ku shumë sipërmarrës kanë pothuajse mbi dy vite që e kanë shpalosur si problem.

Ata shprehen se kanë mungesë të krahut punës, (të kualifikuar ose jo), të cilët sipas sipërmarrësit u janë larguar, ose nuk pranojnë të punojnë për rrogën e caktuar.

Pas shumë kërkesave, sipërmarrësve iu erdhi në ‘ndihmë’ kryetari i qeverisë Edi Rama.

Në shumë takime prej tyre dy –tre vite më parë, Rama u shpreh:

“Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huajt nga Bangladeshi nga Afganistani, nga India. I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the të thashë”

Ai foli edhe për ligjin duke deklaruar:

“Ne kemi kaluar ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë. Nuk ka më fare nga ato procedurat e tmerrshme”.

Deklarata  e kryeministri nxiti reagimin e organizatave, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve sepse Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që nuk ka sindikata.

Ndërsa sot i gjendur i rrethuar nga skandalet, nga boshatisja e vendit dhe në prag fushate, sipas Ramës fajin e kanë sipërmarrësit.

Në një takim me këta të fundit ku po diskutohen pagat, Rama tha tekstualisht:

“Sipërmarrësi shqiptar duhet ta kuptojë që nuk mund t’i japë gruas që pastron atje në Himarë e në Dhërmi 300 mijë lek sepse është nga vendi edhe pastaj marrin nga Bali edhe nga Filipinet dhe ju japin nga 1000 Euro. Nuk mund të funksionojë kështu. Duhet që punonjësin shqiptar ta vlerësojmë si sytë e ballit. Ta ndihmojmë me çdo çmim, sepse është ai që e bën.

Ky është Edi Rama i vitit 2023, krejtësisht i ndryshëm nga ai i pak viteve më parë. Ky është kryeministri që nuk e ka më problem kur funksionon me dy fytyra dhe dy standarde./Alfapress.al