Dosja "Partizani"/ Sëmuret sërish avokati i Berishës, GJKKO pritet të shtyjë prapë vendimin

18 Prill 2025, 14:06 / POLITIKË ALFA PRESS
Dosja "Partizani"/ Sëmuret sërish avokati i Berishës,

Prej gjashtë muajsh, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohen seanca periodike lidhur me dosjen “Partizani”, ku i pandehur kryesor është ish-kryeministri Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Në seancat e fundit, avokatët mbrojtës kanë kërkuar pavlefshmërinë e akteve të dosjes dhe pushimin e çështjes penale, duke argumentuar se nuk ekzistojnë elementë të veprës penale. Sipas tyre, aktet e ekspertimit janë të pavlefshme pasi janë kryer nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe jo nga ekspertë të specializuar, siç parashikon ligji.

Gjithashtu, mbrojtja ka kundërshtuar provat lidhur me ndryshimin e destinacionit të kompleksit sportiv “Partizani”, duke theksuar se ky vendim është marrë nga Edi Ramës dhe jo nga Berisha. Në këtë kontekst, avokatët kanë ngritur pikëpyetje pse Rama nuk është pyetur në lidhje me këtë çështje.

Gjykata pritet të mos shpallë as sot vendimin për fatin e procesit, por vendosi të marrë kohë shtesë dhe ta bëjë publike më 23 prill, në orën 13:00.

Tre janë opsionet që gjykata po shqyrton: pranimi i kërkesës së Prokurorisë për ta çuar çështjen në gjykim, kthimi i dosjes për hetime të mëtejshme, ose pranimi i kërkesës së mbrojtjes për pushimin përfundimtar të çështjes.

Në përfundim të seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh: “Seanca sot u shty për mungesë të avokatit që kishte një arsye shëndetësore. Fillimisht u caktua një avokat tjetër por duke qenë se është seanca e fundit dhe në shërbim të një mbrojtjeje efektive ishte më mirë që të shtyhej seanca”.

Po ndodh...

ide