Legjendat mbi qytetin magjik rus i cili u zhduk nën ujë

20 Nëntor 2022, 21:11 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Legjendat mbi qytetin magjik rus i cili u zhduk nën ujë

Jo larg rajonit të qytetit pranë Vollgës - Nizhni Novgorod ekziston liqeni i thellë Svetllojar. Thonë, se herë pas here mbi sipërfaqen e qetë si pasqyrë të liqenit mund të dëgjosh tingëllimin e kambanave, ndërsa ngandonjëherë bile dhe të shohësh vegimet fantazmë të mureve të manastireve dhe kubetë e kishave.

Ky është qyteti Kitezh, i cili, sipas legjendave të moçme, u zhduk nga faqja e dheut gjatë kohës së një prej sulmeve të para të befasishme të fiseve tartaro-mongole në territorin e Rusisë, domethënë midis viteve 1236 dhe 1242.

Në pikëpjekje të dekadës së tretë dhe të katër të shekullit XIII shteti i lashtë rus ishte i ndarë në dhjetra principata. Princat luftonin mes tyre për pushtet, hynin në aleanca ushtarake, nisnin luftra për toka të reja.

Pikërisht atëhere dhe erdhi për të pushtuar Rusinë Batu, (rusisht - Batij) nipi i Çingiz Kan-it (Gengis Khan) - themeluesit të Perandorisë Mongole. Fushata e tij ushtarake zgjati disa vjet. Gjatë kësaj kohe u pre dhe u masakrua prej trupave të Kan Batij pothuajse gjysma e popullsisë së Rusisë së Lashtë.

Kievi, Vladimiri, Suzdali, Riazani, Tveri dhe shumë qytete të tjera ruse u shkatërruan fare. Kultura e pasur qytetare (urbane) e Rusisë së Lashtë u mbulua nga pluhuri i harresës, për një periudhë disa dhjetra vjeçare praktikisht u pezulluan ndërtimet prej guri, humbën shumë tradita të moçme dhe u zhdukën zanate (zeje) të rëndësishme të ndërlikuara, kurse tokat jugore ruse humbën pothuajse gjithë popullsinë e ngulur.

Po në ato kohëra tragjike dhe e merr zanafillën legjenda mbi qytetin Kitezh. Gojëdhënat rrefejnë, se kur Kan Batij mësoi mbi ekzistencën e Kitezhit dha menjëherë urdhër ta zaptojnë atë. Veçse nuk ishte aspak e lehtë për trupat e tij që ta gjenin këtë qytet.

Por njëri nga robërit rusë u tregoi mongolëve shtigjet sekrete që çonin tek liqeni Svetllojar dhe mongolët u nisën me vërtik për atje. Kur ia arritën më në fund qëllimit të vet dhe iu afruan Kitezhit, ata panë se qyteti ishte krejtësisht i pambrojtur, pa fortesa dhe u gëzuan pa masë nga fakti se fitorja do të ishte e lehtë për ta.

Por mu në sytë e trupave mongole nga nëntoka shpërthyen befas rrëke të fuqishme uji dhe e përmbytën Kitezhin. Sipas legjendës, banorët e qytetit gjatë kësaj nuk pësuan asnjë dëm - uji i mbuloi ata nga syri i armikut, por nuk i mbyti. Ja kështu i shpëtoi Perëndia banorët e qytetit për lutjet e tyre, devotshmërinë dhe besimin e patundur në të.

Legjenda mbi Kitezhin mund të dëgjosh bile dhe në ditët tona. Edhe tani tregojnë mbi njerëz të veshur në mënyrë të çuditshme që duken sikur mbijnë nga toka në ato vise dhe për zhdukjen pa lënë gjurmë të atyre, të cilët vijnë për të kërkuar qytetin e lashtë Kitezh dhe që dalin të denjë për tu bërë banorë të tij.

Në liqenin Svetllojar punojnë arkeologë e gjeologë - midis tyre ka edhe bashkëpunëtorë të instituteve kërkimore e shkencore, edhe vullnetarë entuziastë.

Ndër ta ka edhe specialistë të tillë, që mund të shpjegojnë të gjitha ligjet e fizikës, edhe njerëz që besojnë në natyrën e fshehtë (misterioze) të gjërave. Të gjithë ata po përpiqen të zbulojnë misterin e qytetit Kitezh dhe liqenit Svetllojar.

 

E ku i dihet, ndoshta, ndonjë ditë edhe mund t’ia arrijnë këtij qëllimi...

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128