Petkoviç kritikon KFOR-in: Serbët, të vendosur për të mbrojtur të drejtat e tyre

30 Maj 2023, 16:52 / KOSOVA ALFA PRESS

Petkoviç kritikon KFOR-in: Serbët, të vendosur për të

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, duhet të largohen nga ndërtesat komunale, dhe se Policia e Kosovës duhet të largohet nga veriu i Kosovës.

Sipas një njoftimi për media, Petkoviç i ka bërë këto deklarata të takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Anke Konrad dhe Pierre Cochard.

Petkoviç, tha se incidentet e 29 majit do të mund të parandaloheshin nëse KFOR-i “do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale”, duke iu referuar njësiteve të Policisë së Kosovës.

“Serbët janë të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të jetuar dhe mbijetuar në Kosovë, dhe Serbia e Beogradi do të vazhdojnë të jenë në mbrojtje të tyre, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e provincës dhe rajonit”.

Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan. Tre prej tyre, sipas këtij misioni, morën plagë me armë zjarri. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetë.

Po ashtu është raportuar se ka pasur të lënduar edhe në anën e protestuesve.

Serbët lokalë për të dytën ditë me radhë kanë protestuar në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Ata po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave dhe po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”./ REL

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128