Sulmi në Banjskë/ Prokuroria: Autorët të dënohen përjetë, grupi terrorist u stërvit në poligonin ushtarak serb!

17 Prill 2025, 14:27 / KOSOVA ALFA PRESS

Sulmi në Banjskë/ Prokuroria: Autorët të dënohen

Në seancën e parë për rastin e sulmit në Banjskë mbajtur në  Gjykatën Themelore të Prishtinës, prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit. Ndërsa këta të fundit u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, provat e siguruara nga prokurori tregojnë se Grupi terrorist u stërvit në hapësirat e poligonit ushtarak serb.

Avokati i familjes së Afrim Bunjaku, rreshterit të vrarë në Sulmin terrorist të Banjskës kërkoi dënimin me burg të përjetshëm për të gjithë të akuzuarit, si anëtarë të grupit që më 24 shtator 2023 ndërmorën sulmin e armatosur në veri të vendit.

Kërkesën e bëri në seancën e parë gjyqësore për procesin që nisi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.

Në seancë prokurori i çështjes Naim Abazi, ka prezantuar video dhe fotografi nga vendi i ngjarjes, me qëllimin për të dëshmuar organizimin dhe vajtjen e këtij sulmi terrorist.

“Videot flasin qartë se si grupi ishte përkujdesur në detaje rreth vendosjes dhe hyrjes se si do të operonin në këtë zonë”, deklaroi prokurori.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojevic dhe Dushan Maksimovic u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, ndërsa 42 persona të tjerë me Millan Radoiçiç në krye të listës mbeten të lirë.  Prokuroria ka kërkuar gjykim në mungesë për ta

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Beogradi ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçic, ka theksuar se ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

 

Po ndodh...

ide