Petro Marko, pasardhës i Gjin Bua Shpatës, që nuk u bë dot vasal

Më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës, lindi shkrimtari Petro Marko, një personalitet dhe krijues i rëndësishëm i letërsisë shqipe, mik i rëndësishëm i Heminguejt, Ai iku në amshim më 27 dhjetor 1991dhe është varrosur, sipas amanetit, pa ceremoni.
Petro Marko, mjeshtër i poezisë, gazetar rebel, njeriu i burgosur dhe gjithmonë i lirë, në radhë të parë është prozator i madh.
Mundet të thuhet, me bindje dhe argument, se librat e tij, hodhën themelet këtij zhanri, sidomos në rrugën e shkrimit bashkëkohor të letrave shqipe.
Jeta e Petro Markos, në vetëvete, është si një roman. Shkoi në luftë në Spanjë, u internua dhe u burgos në Itali, u burgos në vendin e tij, iu ndalua botimi, iu persekutua familja, iu fshi kujtesa e krijimtarisë së tij me ligjin totalitar, duke e përjashtuar nga antologjitë shkollore dhe historia e letërsisë.
Shpirti i njeriut që luftoi për humanizëm brenda tij nuk u shua kurrë, përkundrazi u përtëri, si një lloj feniksi, nga vepra në vepër, përmes personazheve si Gori Gjinlekës te “Hasta la vista”, personazhi i Lekë Gurrës te romani “Qyteti i jugut”, personazhi i Andrea Borës tek romani “Nata e Ustikës”, apo personazhi i Gjin Bua-s tek romani “Një emër në katër rrugë”.
Me Gjin Bua Shpatën, dhe dinastinë e tij, siç thotë studiuesi Bardhosh Gaçe, shkrimtari lidh dhe origjinën hershme të familjes së tij.
Kryezoti çam Gjin Bua Shpata, (që sundoi aty nga fundi i shek. XIII-të në Epir) ishte i vetmi prijës shqiptar në histori që nuk pyeti për kisha e xhamia, nuk pranoj të kurorëzohej nga Papa i Romës dhe Bizanti, i vetmi në historinë shqiptare që nuk i sherbeu vasal asnjë ushtrie të huaj, i vetmi që mposhti ushtritë Serbe, Bullgare, Turke, Napolitane, Venedikase, i vetmi që pati pavarësi sundimi.
Ja ç’thotë, për origjinën e Petros dhe të fisit, studiuesi dhe shkrimtari Gëzim Llojdia, duke iu referuar shënimeve të Petros:
“Me sa kam dëgjuar, me sa di unë, rrjedh nga një familje që ne fshatin Dhërmi quhet Bua. Shekuj më parë në fshatin tonë erdhi për t’u strehuar Gjin Bue Shpata, nipi i luftëtarit Gjin Bue Shpata. Ai, nipi, siç thonë pleqtë, banoi ne një vend midis Shenapremtes dhe Shën Theodhorit, aty ku kishte nomenë Zhupa dhe qe quhet Paloshpita. . . Pastaj erdhi dhe ndërtoi një konak, nën Qëndushen, aty ku ende i themi Konaku i Gjinit. Aty i linden dy djem: Markoja dhe Gjoni. Pak metra poshtë ngriti një kishe te vogël: Shën Janin, qe është ende. Djemtë e tij u rriten dhe ndërtuan shtëpi te tjera të vogla nen shpellën e Pano Gjinit. Markoja dhe Gjoni i bënë pranë e pranë. Aty, ne atë vend, Markajt Gjanet bënë shtëpi të tjera, se u shtuan. Edhe Buajt shtëpi pranë Konakut te Gjinit. Kështu që, shekuj me radhë Markajt, Gjonet, Buajt ishin një bark, një fis gjer vone, sa isha unë i ri, nuk martoheshin me -tjetrin. Kishin te drejtën e gjakut për njeri-tjetrin…”.
***
Në shtator 1985, bashkë me mikun dhe redaktorin tim Perikli Jorgoni, duke ecur nëpër bulevard, takuam për disa minuta Petron. Ai kishte dalë në ballkonin e vogël të apartamentit në katin e parë, mbi Bulevardin e Tiranës. Perikliu e pa dhe më bëri me shenjë t’i afroheshim. “Do ta ngacmoj pak, më tha dhe, sakaq, e përshëndeti si mik i vjetër: Si je ish- shkrimtar!
Petros duket se nuk i bënë përshtypje fjalët, nuk i lëvizi fare dhe, ashtu qetë-qetë, ia priti: “Në jetë mund të ketë president dhe ish-president, kryeministër dhe ish-kryeministër, por nuk mund të ketë kurrë ish-shkrimtar”.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
