Një nga aeroportet më të rrezikshëm në botë është...

7 Dhjetor 2023, 23:55 / JETË ALFA PRESS

Një nga aeroportet më të rrezikshëm në botë

Në Lukla të Nepalit aeroporti Tenzin-Hillary ka një pistë vetëm 20 metra të gjerë dhe 550 metra të gjatë dhe është ndërtuar në një faqe kodre me një anim prej 11 gradësh. Aeroporti pranë malit Everest njihet si më i rrezikshmi në botë dhe ka luajtur rol në një seri vdekjesh, përfshi dhe rastin tragjik kur avioni në ulje u përplas me helikopterin e parkuar në pistë.

Në prill 2019, tre njerëz u vranë kur avioni goditi helikopterin në këtë aeroport, i cili shërben si një pikë fluturimi drejt majës së Everest. Aeroporti është titulluar me emrin e dy të parëve që arritën të ngjitnin majën Everest, Edmund Hillary e Tenzing Norgay, në vitin 2008.

Pista e tij është e shkurtër dhe e anuar dhe nuk mund të shfrytëzohet nga çdo pilot. Vështirësisë i shtohet fakti se gjendet 2,757 metra mbi nivelin e detit, që do të thotë se shpesh prej motit të keq operacionet aty pezullohen.

Tetëmbëdhjetë njerëz u vranë këtu në një aksident në 2008 kur një avion pasagjerësh u përplas gjatë uljes. Avioni i linjave vendase Yeti që vinte nga kryeqyteti Kathmandu në Lukla, shpërtheu në flakë pas uljes me përplasje në pistën e anuar, në një mot të mbushur me re. Qindra turistë dhe rezidentë të Lukla, i cili ndodhet 140 kilometra në verilindje të Kathmandu kanë dëshmuar operacionet e shpëtimit pas aksidenteve.

Por megjithë këtë nëse moti është i kthjellët, dhjetra fluturime ulen çdo ditë në Lukla, pasi kryeqyteti Kathmandu është vetëm gjysmë ore larg në vijë ajrore. Vetëm së fundmi zyrtarët e aviacionit në Nepal kanë vendosur standarte të reja për pilotët. Për të qenë të aftë të ulen në Lukla, ata duhet të kenë kryer 100 ngritje dhe ulje në pistë të shkurtër, si dhe të kenë kompletuar trajnimin e veçantë me dhjetë fluturime në Lukla nën drejtimin e një instruktori të çertifikuar.

Po ndodh...