Nga kulti i një individi te kulti i disa individëve

21 Shkurt 2023, 12:34 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Nga kulti i një individi te kulti i disa individëve

Rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha është një moment që është fiksuar në memorien e shumë njerëzve. Jo vetëm të atyre që e kanë përjetuar atë moment dhe kanë qenë protagonist, por edhe brezave më të rinj që ndoshta nuk kishin lindur ende në ato vite. Ai moment është simbolika më e rëndësishme nëpërmjet të cilës i është përcjellë brezave të rinj ideja se një regjim diktatorial përfundoi dhe një epokë tjetër pluraliste politike dhe shoqërore filloi.

Në thelb, rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës jep idenë e përfundimit të një periudhe politike ku mbi të gjitha mbizotëronte kulti i individit. I cili, nënkupton që individi është mbi gjithçka. Mbi ligjet, mbi institucionet, madje mbi vetë shoqërinë.

Pas 32 viteve nga kjo ngjarje e rëndësishme për shqiptarët, mund të bëjmë një bilanc, nëse vërtetë jemi larguar nga mentaliteti i njëshi-t apo jo. Dhe, përgjigjja fatkeqësisht është negative. Ajo çfarë ka ndodhur në 32 vite tranzicion në Shqipëri, është fakti se kemi kaluar nga rrëzimi i një busti te ngritja e disa të tjerëve. Me fjalë të tjera, kemi kaluar nga monokultizmi te polikultizmi.


Ardhja e pluralizmit në Shqipëri i dha fund epokës së kultit të një individi, por ka ngritur kultin e disa individëve të tjerë. Thjesht më parë ekzistonte një njësh, sot ekzistojnë disa të tillë. I gjithë fenomeni i tranzicionit shqiptar mund të përkufizohet me këtë metamorfozë.


Mentaliteti i kultit të individit është një mentalitet i përhapur gjerësisht në kulturën politike të tranzicionit shqiptar. Klasa politike shqiptare sot pas 32 viteve pluralizëm është po e njëjta. Ndërrohen krahët, ndërrohen pozicionet, por personat janë po ata.

Klasa politike shqiptare i ka kthyer partitë politike, instrumentet më të rëndësishme të demokracisë, në pronë private, duke bllokuar qarkullimin e elitave, që në vetvete është kushti bazë i sistemit demokratik. Madje, ka disa parti politike të cilat me largimin e “pronarit” të tyre është e sigurt që nuk do të ekzistojnë më. Shenjë e qartë se sistemi politik i Shqipërisë është totalisht i bazuar te njësh-i dhe te kulti që është ngritur rreth tyre.

I gjithë ky mentalitet ka krijuar një shoqëri hierarkike në të gjitha dimensionet e saj. Një hierarki e cila nuk bazohet në meritë dhe konkurrencë, gjë e cila do të ishte e pranueshme dhe e dëshirueshme, por e bazuar mbi vullnetin politik. Sot pushteti ekonomik, social dhe kulturor gjendet në duart e disa personave. Ata vendosin se cili sipërmarrës është i suksesshëm, se cili biznes falimenton, se cili artist punon dhe se cili mund të ngjisë shkallët e karrierës në të gjitha fushat.

Vazhdimi i mentalitetit të njëshi-t jo vetëm që ka bllokuar qarkullimin e elitave politike, shoqërore dhe ekonomike, por mbi të gjitha ka penguar ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Mund të thuhet se Shqipëria ka kaluar nga partia-shtet e kohës së diktaturës në shtetin e partive në pluralizëm.

Ky është regjimi që tashmë kemi vendosur. Një regjim partitokratik, ku politika kontrollon gjithçka. Ajo jep drejtësi, nga ajo varet ekonomia, liria, individi e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetët tona.

Lufta midis partive dhe institucioneve të “pavarura” shpesh herë na serviret si një e mirë që forcon ndarjen e pushteteve. Ky është një keqkuptim i madh që na është krijuar, sepse në të vërtetë, ky është një konflikt midis pushteteve për interesa të mirëfillta politikë dhe jo ndarje pushtetesh, që forcon shtetin e së drejtës dhe liritë tona individuale.

Ekziston një moment shumë i rëndësishëm për të kuptuar nëse institucionet janë të pavarura apo jo në një shtet të caktuar. Është pikërisht momenti kur politika është në krizë. Krizave politike në vendet me pushtete të ndara i japin zgjidhje organet e pavarura, të cilat kanë pikërisht këtë si detyrën kryesore. Nëse partitë politike dhe sistemi politik funksionon në rregull, përtej “luftës” normale të ideve, atëherë institucionet e shtetit kthehen në zyra formale. Nëse jo, atëherë roli i tyre është thelbësor.

Politika shqiptare, në më të shumtën e rasteve, funksionon si tension i vazhdueshëm midis forcave që e përbëjnë atë. Jo në pak raste, ky tension kthehet në konflikt të ashpër dhe bllokues për gjithë jetën politike dhe institucionale, dhe si pasojë krijon një rreth vicioz të vazhdueshëm nga ku vështirë se dalim dot më.

Në momentet që politika shqiptare është në krizë, dhe kjo ndodh jo rrallë herë, gjëja e parë që vërehet është sulmi politik që zhvillohet ndaj institucioneve. Presidentë të Republikës të akuzuar si të një pale politike apo të një tjetre, vendime gjyqësore si të njëanshme deri edhe në protesta ndaj tyre, janë bërë tashmë pjesë normale e ligjërimit politik.

Kjo është një shenjë e qartë sesa pak besim kemi tek ato, për faktin se pjesa më e madhe e tyre është kthyer si organ i një partie të caktuar. Jo vetëm që këto institucione nuk u japin zgjidhje krizave politike, por ato vetë kalojnë në krizë si pasojë e saj. Shenjë e qartë se këto institucionet janë të uzurpuara nga politika.

Regjimi politik që kemi që kemi sot është padyshim një regjim partitokratik. Problemi është se nuk kemi parti, por thjesht vullnete individuale që qeverisin ato. Mund të duket konktradiksion, por jemi fiks në një partitokraci pa parti.

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128