Këta që talleshin dhe sulmonin Bashën

1 Mars 2026, 13:30 / IDE NGA ERMAL PEçI

Këta që talleshin dhe sulmonin Bashën

Qeveria e Edi Ramës ndodhet në një fazë të dukshme konsumimi moral dhe politik. Lëvizjet e fundit duken më shumë si tentativa për të administruar kohën sesa për të prodhuar zgjidhje politike. Por legjitimiteti nuk ndërtohet mbi kohën që kalon, por mbi besimin që mbetet, dhe në qeverisjen e tij ky besim ka humbur prej vitesh. Sot, edhe Ilir Meta duket si një nxënës i dobët, madje diletant, në krahasim me Ramën, për mënyrën se si ai ka ndërtuar dhe menaxhuar pushteti politik në këto vite.

Një qeveri e rrethuar nga korrupsioni, nga hije okulte, nga hetime e dyshime, sot ndjen në zemër të saj praninë e SPAK-ut. Ironia është therëse: ai që krekosej si “arkitekti” i saj, sot duket i shqetësuar nga ajo që ai pretendon se vetë ndërtoi. Pavarësisht se realiteti tregon se ai që ka pasur dhe ka bashkëpunëtorë të ngushtë si Tahiri, Beqaj, Ahmetaj, Veliaj, Dako dhe së fundmi Balluku, nuk mund të jetë një njeri që aspiron drejtësi funksionale, sepse në thelb ti nuk mund të predikosh moral dhe drejtësi kur je i rrethuar nga “mëkatarë” që shkelin dhe vjedhin vendin që ti drejton.

Por pyetja thelbësore që lind sot është: si ka mundësi që në këtë moment dobësie të qeverisë, opozita tradicionale nuk arrin të prodhojë presion real? Si ka mundësi që Sali Berisha, me gjithë retorikën e tij të zjarrtë, nuk arrin ta kthejë krizën morale të mazhorancës në krizë politike?

Protesta e djeshme ishte më shumë spektakël mediatik me fishekzjarre sesa akt trysnie. Një parti që nuk sfidon dot as simbolikisht një kordon policie, që nuk e thyen dot, si mund të pretendojë se do të rrëzojë një sistem?

Duke e ndjekur live protestën me disa miq demokratë nga Gosa në Spille, më rikujtuan protestat e vitit 2019. “Ku krahasohen ato me këto?” — më thanë. “As në numër, as në sinergji, as në forcë.” Berisha, që e quante Bashën “si lider të thyer”, sot po tregon çdo ditë pafuqinë për të sjellë rotacionin e shumëpritur. Në fakt, sot askush nuk flet për pafuqinë politike të Berishës, dhe kjo heshtje është më domethënëse se çdo deklaratë.

Këtu rikthehet figura e Bashës, i cili sot, përveç betejës ligjore për vulën e PD-së, e cila iu mor në marrëveshje me Ramën, nuk është më aktiv në politikë. U etiketua si i dobët, i pavendosur, i paaftë dhe bashkëpunëtor me pushtetin. U përdor “pushteti i thashethemeve”, për ta sulmuar, u zvogëlua me narrativë të koordinuar, u tall nga kundërshtarët politikë, por edhe nga ata që sot pretendojnë se janë opozita e vërtetë, vetëm sepse ai mori një vendim që koha po i jep të drejtë.

Basha bëri një zgjedhje të vështirë: jo vetëm të përballej me Ramën, por me një sistem trekëndor interesash, ku konflikti shpesh ishte i kontrolluar dhe i dobishëm për të gjithë, përveç qytetarëve. Ai tha se me një linjë antiamerikane dhe anti-SPAK, Partia Demokratike nuk do të vinte kurrë në pushtet. Atëherë u tallën, por sot koha po e vendos atë tezë në dritë , si gjykatësi i vetëm që nuk ndikohet nga propaganda.

Koha po na mëson diçka të thjeshtë: të qeshësh me dikë është e lehtë; ta zëvendësosh është e vështirë.
Në fund, politika nuk është teatër batutash dhe talljesh, por provë force morale. Siç paralajmëronte Friedrich Nietzsche: “Ai që lufton me përbindësha duhet të ketë kujdes të mos bëhet vetë përbindësh.” Ndoshta kjo është drama e sotme: në përpjekje për të rrëzuar një sistem, disa po përvetësojnë pikërisht logjikën që e mban atë në këmbë.

Koha ka treguar se në politikë, si në jetë, nuk triumfon zhurma, por qëndrueshmëria. Pushteti i vërtetë nuk është tek ai që flet më fort, por tek ai që qëndron më gjatë përballë kohës dhe nuk bëhet reflektim i sistemit që sfidon.

Po ndodh...

ide