A është Edi Rama i paprekshëm nga SPAK pas vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit?!

25 Shkurt 2024, 20:07 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

A është Edi Rama i paprekshëm nga SPAK pas vizitës së

Në një bisedë në studio pak ditë më parë, deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, iu drejtua zëdhënëses për shtyp të PD-së, Mirela Karabina, kur kjo ishte duke qortuar qeverinë Rama dhe problemet e saj të vazhdueshme me drejtësinë, që për të gjitha këto akuza të pyeste Sekretarin e Shtetit, Blinken, i cili gjatë vizitës së tij në Shqipëri, kishte dëshmuar të kundërtën.

Në fakt, nuk është vetëm Qefalia që e ka përdorur këtë argument, sepse për ditë të tëra propaganda e qeverisë, nëpërmjet medias dhe analistëve të oborrit, i fryn kësaj teze.

Po a ishte vizita e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Antony Blinken, një ‘amnisti’ për korrupsionin qeveritar dhe një mesazh për paprekshmërinë e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij?

Nëse do të kthehemi në retrospektivë, vlen të përmendim se vite më parë, gjatë kohës së qeverisjes së PD-së, Shqipërinë e vizitoi jo Sekretari i Shtetit, por vetë Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh W Bush, mirëpo nuk kaluan shumë vite dhe Berisha si Kryeministër i asaj pritjeje entuziaste dhe madhështore, pikërisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u shpall “non grata” për korrupsion madhor dhe si minues i demokracisë.

Pra, vizita e Bushit nuk e ndihmoi Berishën, madje tregoi që marrëdhëniet e tij me SHBA-të nuk ishin ashtu siç dukeshin.

Së dyti, pak para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, Shqipëria u vizitua nga një tjetër Sekretar Shteti, Hillary Klinton, mirëpo kjo nuk e ndihmoi PD-në dhe Berishën që në zgjedhjet e atij viti të humbiste përballë Ramës me 1 milion vota.

Për të mos përmendur, rastin e Saimir Tahirit, i cili arriti të futet deri në Dhomën Ovale të Presidentit Obama, dhe pak kohë pas kthimit të tij nga SHBA të niste një hetim ndaj tij për trafik ndërkombëtar droge dhe të dënohej më pas nga gjykata.

E thënë me fjalë të tjera, asnjë nga rastet e mësipërme nuk i ndihmoi as vizita, as pritja, përkundrazi koha tregoi të kundërtën.

Natyrisht që faktet nuk kanë dosmodoshmërisht lidhje me njëra-tjetrën, por një gjë është e sigurt: takimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, duke filluar nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, Kryetares së Gjykatës Kushtetuese etj., janë mesazh i fortë kryesisht për Edi Ramën, natyrisht edhe për Berishën.

Takimi në Tiranë erdhi në një kohë kur Edi Rama nuk rresht së përmenduri sa herë që SPAK-u godet qeverinë e tij, se “nuk jemi republikë prokurorësh”, ashtu sikuse është një mesazh ndaj tendencës së qeverisë për të ngritur dhe për të kontrolluar nëpërmjet komisionit të sistemit të drejtësisë, gjë që u denoncua dhe u paralajmërua edhe nga Basha.
Me takimin e paprecedent me përfaqësuesit e drejtësisë, Blinken dha mesazh se pas drejtësisë qëndron SHBA dhe kush sulmon SPAK dhe Gjykatën e Posçme ka sulmuar SHBA-të.

Jo rastësisht të gjithë postimet e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Blinken, për vizitën e tij në Shqipëri ishin thirrje dhe këmbëngulje për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kush mendon se SHBA i dha mbrojtje Edi Ramës, e ka gabim.

SHBA nuk i jep mbrojtje individëve, por institucioneve që vetë kanë investuar.

Dhe dihet se Reforma në Drejtësi me institucionet e saj të reja, si SPAK dhe GJKKO-ja janë investimi më i madh amerikan në Shqipëri.

Po ndodh...