Skandali me misrin e kontaminuar “shkund” AKU-në! 7 zyrtarë largohen nga detyra

2026-04-21 10:44:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Skandali me misrin e kontaminuar “shkund” AKU-në! 7

Denoncimi për skandalin e misrit të kontaminuar ka “rrëzuar” drejtues dhe inspektorë të AKU.

Pas publikimit të skandalit për 130 ton misër të kontaminuar me aflatoksinë, të importuar nga Serbia dhe të hedhur në tregun vendas, kanë reaguar edhe institucionet përgjegjëse.

Burime bëjnë me dije se 7 punonjës të AKU janë larguar përfundimisht nga detyra, përfshirë edhe drejtorin e institucionit në kohën kur produkti i rrezikshëm u lejua të qarkullonte në treg.

Sipas informacioneve të besueshme, nga detyra është shkarkuar ish-drejtori i AKU-së, Manush Kullolli, tre inspektorë të drejtorisë rajonale të AKU-së në Shkodër dhe tre inspektorë të tjerë në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit.

Në 10 mars 2026, Ora News ngriti alarmin se subjekti “MODI” sh.p.k., në Shkodër, me administrator Mondi Halaj, kishte hequr shiritin e bllokimit të vendosur nga AKU në magazinën ku ndodhej misri i kontaminuar me aflatoksinë. Dyshohet se rreth 110 ton misër janë hedhur në tregun vendas pa asnjë sistem gjurmueshmërie, duke vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve.

Menjëherë pas publikimit të këtij skandali, AKU reagoi duke deklaruar se ka referuar për ndjekje penale administratorin e subjektit.

Ky rast ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mekanizmat e kontrollit dhe përgjegjësinë institucionale, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin plotësisht zinxhirin e dështimit që lejoi një produkt të rrezikshëm të përfundojë në tryezat e qytetarëve.

 

Happening now...

ideas