Rritja e naftës në bursë/ Si përkthehet në rritjen e çmimit të karburantit në Shqipëri

Çmimi i karburanteve në Shqipëri lidhet ngushtë me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të naftës së përpunuar, përveç bençmarkut global që është nafta Brent e Londrës. Një nga treguesit më të përdorur në Europë për naftën është kontrata London Gas Oil, e cila tregtohet në bursën Intercontinental Exchange (ICE) në Londër dhe gjithashtu platforma profesionale me pagesë, Platts. Ky tregues shërben si pikë reference për tregtarët dhe importuesit e karburanteve në shumë vende europiane, duke përfshirë edhe vendin tonë, pasi pasqyron çmimin ndërkombëtar të naftës që përdoret për furnizimin e tregjeve.
Sipas të dhënave të fundit nga tregjet ndërkombëtare, kontrata e London Gas Oil është rritur në rreth 1,153 dollarë për ton, duke shënuar një rritje prej 77 dollarësh për ton, ose rreth 7.1% brenda ditës. Përpara se të fillonin sulmet mbi Iran, kjo kontratë tregtohej në rreth 730 dollarë për ton. Pra, në harkun e një jave, nafta e përpunuar në bursën e Londrës është rritur me rreth 420 dollarë për ton. Ky është niveli më i lartë i mesatares 52-javore, çka tregon një presion të fortë në rritje në tregjet e energjisë.
Për të kuptuar se çfarë mund të nënkuptojë kjo për çmimet në Shqipëri, duhet pasur parasysh se në bursë çmimi shprehet në dollarë për ton, ndërsa në tregun vendas karburanti shitet në lekë për litër. Për këtë arsye, për të bërë një vlerësim të ndikimit të lëvizjeve në bursë është e nevojshme të bëhet një përkthim i këtij ndryshimi nga ton në litra.
Në praktikë, një ton gazoil përkthehet afërsisht në 1,170 deri në 1,180 litra. Kjo lidhet me dendësinë mesatare të këtij karburanti, e cila është rreth 0.84-0.85 kilogramë për litër. Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe kursi i këmbimit, pasi çmimi në bursë shprehet në dollarë, ndërsa në Shqipëri karburanti paguhet në lekë. Për ilustrim mund të merret një kurs orientues prej rreth 82.8 lekë për një dollar, sipas "Bankës së Shqipërisë", i cili ndihmon për të kuptuar ndikimin e përafërt të lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare.
Nëse përdoret kjo metodë për rritjen vetëm ditën e premte në bursë, rezulton se rritja prej rreth 77 dollarësh për ton përkthehet në afërsisht 5 deri në 6 lekë për litër rritje në koston bazë të karburantit. Kur mbi këtë shumë llogaritet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 20%, efekti në çmimin final mund të arrijë në rreth 6 deri në 7 lekë për litër, nëse ndryshimi në bursë kalon plotësisht te konsumatori.
Megjithatë, në strukturën e çmimit të karburantit në Shqipëri përfshihen edhe taksa fikse për litër, si akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të çmimit final./SCAN
Po ndodh...
Gjermania, “mallkimi” i Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128