Komisioni i Ekonomisë rekomandon ndarjen e të ardhurave nga akciza e duhanit sipas kategorive të produkteve

6 Mars 2026, 18:52 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Komisioni i Ekonomisë rekomandon ndarjen e të ardhurave nga akciza e

Të ardhurat totale nga akciza e duhanit gjatë periudhës 2012-2025 kanë arritur në rreth 226.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të qëndrueshme ndër vite. Rritja është bërë më e theksuar pas vitit 2020, ndërsa në vitin 2024 të ardhurat nga ky sektor kanë arritur në 24.9 miliardë lekë, kjo sipas draftraportit parlamentar të kontrollit post-legjislativ për ligjin e akcizës.

Raporti evidenton se burimi kryesor i këtyre të ardhurave mbeten cigaret tradicionale që përmbajnë duhan. Kjo kategori ka gjeneruar rreth 96% të totalit të të ardhurave, ose 218 miliardë lekë. Kjo diferencë është e madhe edhe për shkak se produktet alternative kanë hyrë më vonë në tregun shqiptar. Dokumenti thekson se po rritet gradualisht edhe kontributi i produkteve alternative. Duhani me ngrohje ka gjeneruar 996 milionë lekë që nga viti 2022, duke shënuar një rritje të shpejtë prej 315% në tre vite, ndërsa produktet me nikotinë në lëng kanë kontribuar me rreth 212 milionë lekë.

Sipas draftraportit, pesha e akcizës së duhanit në totalin e të ardhurave nga akcizat mbetet shumë e rëndësishme për buxhetin e shtetit. Këto të ardhura përbëjnë rreth 38-39% të totalit të akcizës, ndërsa në vitin 2023 kjo peshë arriti deri në 49%, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave nga kategori të tjera të produkteve të akcizës.

Megjithatë, draftraporti vëren se planifikimi buxhetor për të ardhurat nga akciza aktualisht bëhet në një zë të vetëm për të gjitha produktet e duhanit. Kjo metodë, sipas dokumentit, nuk lejon një analizë të saktë të realizimit të të ardhurave sipas segmenteve të ndryshme të tregut dhe e bën më të vështirë monitorimin e performancës fiskale për secilin produkt.

Në këtë kuadër, draftraporti rekomandon një sërë masash për përmirësimin e planifikimit dhe monitorimit të të ardhurave nga akciza. Në afatshkurtër, për periudhën 2026-2027, propozohet që Ministria e Financave të ndryshojë metodën e planifikimit buxhetor duke ndarë të ardhurat sipas kategorive të produkteve të duhanit, si cigaret tradicionale, produktet alternative dhe nikotina në lëng, duke filluar nga projekt-buxheti i vitit 2027. Gjithashtu sugjerohet vendosja e një sistemi raportimi tremujor që krahason realizimin me planifikimin për çdo kategori produkti, në mënyrë që të identifikohen devijimet dhe shkaqet e tyre.

Raporti rekomandon gjithashtu zhvillimin e modeleve ekonometrike parashikuese për të ardhurat nga akciza, të cilat duhet të bazohen në trendet historike, ndryshimet e planifikuara të nivelit të akcizës dhe faktorë makroekonomikë si rritja ekonomike, inflacioni, papunësia dhe ndryshimet demografike.

Në afatmesëm, për periudhën 2027-2030, dokumenti sugjeron vendosjen e një sistemi të rregullt vlerësimi ex-post të politikave fiskale, i cili do të krahasojë të ardhurat e realizuara me parashikimet fillestare dhe do të analizojë shkaqet e devijimeve. Një tjetër rekomandim është integrimi i sistemeve të informacionit të institucioneve përkatëse, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Duhanit, me qëllim mundësimin e shkëmbimit në kohë reale të të dhënave mbi prodhimin, importin, shitjet dhe mbledhjen e akcizës. /ekofin.al

Po ndodh...