Fëmijët shqiptarë në Siri/ Terrorizmi brenda kampit Al-hol dhe rreziku i shqiptarëve të mbetur atje

Pas 12 viteve në Siri, mes tmerrit të ISIS, luftës dhe kampeve të ferrit, Eva Dumani, tashmë 20 vjeçare, është kthyer në shtëpi. Përpjekjet për kthimin e kësaj vajze, e cila për shumë shqiptarë u kthye në një simbol të dhimbjes dhe vuajtjeve të përjetuara, kanë nisur që shumë vite më parë, kur Eva, atëherë adoleshente, ndodhej në kampin Al Hol, mes grave të radikalizuara, në një betejë të përditshme për mbijetesë.
Kampi, i cili tashmë po kalon ditët e fundit të historisë së tij famëkeqe, u ndërtua në vitin 1991 për emigrantët irakenë gjatë Luftës së Gjirit, ndërkohë që u riaktivizua në vitin 2019 nga Syrian Democratic Forces, në territorin e kontrolluar nga kurdët, aty ku u pritën mbi 80 mijë gra dhe fëmijë të xhihadistëve të ISIS, të cilët ishin vrarë ose burgosur.
Për praninë e këtij kampi dhe kushtet çnjerëzore atje, shqiptarët u njohën për herë të parë në nëntor të po atij viti, kur u bë publik rasti i 11-vjeçarit Alvin Berisha, një fëmijë shqiptar me banim në Itali, i cili kishte udhëtuar me nënën drejt Sirisë, ndërkohë që babai i tij, Afrimi, kërkonte me dëshpërim ta kthente në shtëpi.
Përpjekjet e babait të vogëlushit u shpërblyen dhe, pak ditë pas transmetimit të këtyre pamjeve, Alvini u kthye në shtëpi, duke u kthyer në një lajmëtar të vuajtjeve, dhimbjes dhe sakrificave të dhjetëra fëmijëve që mbijetonin në kampin e ferrit.
Kthimi i Alvinit në shtëpi shërbeu edhe si sinjal për familjarët e grave dhe fëmijëve të tjerë, të cilët, duke parë interesimin e medias për rastin, nisën të ngrenë zërin dhe t’u kërkojnë autoriteteve të ndërhyjnë për kthimin sa më parë të tyre.
Në fakt, riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nisi, por me një vit vonesë. Edhe pse gratë dhe fëmijët e listës ishin në numër më të vogël se ato të shteteve të tjera, kthimi u bë i fragmentuar, duke i dhënë më shumë zë propagandës sesa vetë zgjidhjes së problemit.
Pesë shqiptarët e parë u kthyen në shtator të vitit 2020. Mes tyre ishte edhe Endri Dumani, vëllai i Evës, e cila, edhe pse pjesë e listës për t’u kthyer, në rrethana ende të pasqaruara mirë, nuk arriti të tërhiqej nga agjentët shqiptarë të antiterrorit.
Ndërkohë që autoritetet shqiptare po bënin një proces të ngadaltë riatdhesimi, duke deklaruar situatën delikate dhe vështirësitë e operacioneve të tilla, Kosova e kishte bërë këtë lëvizje një vit më përpara, duke i tërhequr të gjithë shtetasit e saj vetëm pak muaj pas rënies së shtetit islamik. Gjithashtu edhe shtetet e Bashkimit Europian i tërhoqën me shpejtësi qytetarët e tyre, kjo falë edhe lëvizjeve diplomatike.
Një vit më vonë, në 2021, kohë kur riatdhesimet kishin mbetur në vendnumëro, gazetari Taulant Kopliku realizoi një dokumentar mes shqiptarëve në kampet e Sirisë.
Në fillim ai u interesua për Eva Dumanin dhe kërkimin e nisi në sektorin e të huajve të kampit Al Hol. Një rikthim i tij pas thuajse dy viteve, kur së bashku me trupën e emisionit Le Iene ishin angazhuar në historinë e Alvin Berishës.
Megjithatë, trupa televizive ishte rikthyer në Al-Hol për një tjetër qëllim: gjetjen e gjurmëve të Eva Dumanit, asokohe gjashtëmbëdhjetë vjeçare, e cila një vit më përpara nuk kishte mundur të kthehej në Shqipëri. Ajo thuajse iu iku nga duart agjentëve shqiptarë, pasi më përpara la të priste në tendë vëllain më të vogël, Endrin.
Kërkimet për Eva Dumanin vijuan për disa orë në atë pasdite të tetorit 2020, por nga adoleshentja shqiptare nuk u gjet asnjë gjurmë. Autoritetet në Al Hol do ta drejtonin për në sektorin e të huajve të kampit, ku e paralajmërojnë se e vetmja hapësirë ku jepej siguri ishte sheshi i madh mes çadrave. Është i njëjti sektor ku u pa për herë të fundit Eva.
Ndërsa në brendësi të sektorit mbretëronte kaosi dhe rrëmuja përreth një kamioni akulli që sapo ka ardhur, fëmijë kureshtarë i afrohen gazetarit, i cili nuk humb kohë dhe nis menjëherë t’i pyesë për Evën, e cila në kamp njihej si Sara. Kalojnë vetëm pak minuta të takimit me fëmijët, kur aty afrohet një nga gratë e ISIS, e cila i largon menjëherë. Sipas drejtuesve të kampit, këto janë masa që gratë i marrin në mënyrë që fëmijët të mos zbulojnë ndonjë të dhënë apo emër personi që mund të përbëjë sekret.
Ndërkohë që kërkimi vazhdon, gazetari kalon më shumë se një orë në kërkim të Eva Dumanit, por askush nuk jep përgjigje për fatin e saj. Ndërsa vazhdon dëshpërimisht kërkimin në këtë sektor të kampit, turma e fëmijëve që e ndjek kudo nga pas nis të bëhet agresive.
Agresiviteti është në rritje. Fëmijët nisin të artikulojnë fjali që i kemi dëgjuar vetëm në videot e propagandës së ISIS. Kanë mbetur vetëm pak kohë në dispozicion për të xhiruar, ndërkohë që situata vijon të vështirësohet. Diku fluturon një shishe, diku një gur. Gazetari ndërpret punën për t’u larguar nga aty, por fatkeqësisht jo pa kosto, sepse kameramani ka marrë një goditje me gurë e cila mbyllet me një hematomë në sup.
Dhuna dhe gjuha e urrejtjes në Al Hol ka qenë gjithmonë prezente. Forcat kurde kanë siguruar perimetrin e kampit, por pa mundur asnjëherë ta kontrollojnë në brendësi. Një qytet i përbërë nga çadra, me rreth pesëdhjetë e pesë mijë banorë, i kthyer në një minë me sahat, sidomos në orët e natës. Dhuna, djegia e tendave dhe jo rrallë edhe eliminimet fizike kanë qenë gjithmonë pjesë e përditshmërisë.
Gjithçka në emër të shtetit islamik që kërkonte të mbante robër të ideologjisë radikale gratë dhe sidomos fëmijët nga i gjithë globi. Dhe imagjinoni pak që në atë periudhë kur është xhiruar ky dokumentar kishte ende fëmijë shqiptarë që rriteshin pranë kësaj ideologjie, ndërkohë që shteti vazhdonte me përpjekjet delikate dhe të komplikuara për t’i riatdhesuar.
Por sa i vështirë do të ishte një operacion i tillë?
Shik Mus Ahmad, përfaqësuesi i autoritetit kurd, drejtori i kampeve të grave dhe fëmijëve të ISIS, asokohe shpjegonte se celulat e riorganizuara të kalifatit islamik vazhdonin të ishin aktive në kamp, duke terrorizuar vazhdimisht personat që kërkonin të ndryshonin stil jete apo që guxonin të kërkonin rikthimin në vendet e origjinës.
Drejtori do të tregohej tepër i qartë: gratë dhe fëmijët shqiptarë mund të riatdhesoheshin pa problem. Mjaftonte vullneti i shtetit të interesuar. Në këtë rast, i Shqipërisë.
Po atëherë çfarë e pengoi shtetin shqiptar në gjithë këto vite?
Por përtej këtij hezitimi të autoriteteve shqiptare, kurdët kishin marrë disa masa për të mbajtur larg rrezikut gratë dhe fëmijët që kërkonin të ktheheshin dhe nuk shfaqnin qasje radikale.
Kampi Rozh është një strukturë më e organizuar krahasuar me Al Hol. Mund të konsiderohet fare mirë si një qendër rehabilitimi për gratë dhe fëmijët e xhihadistëve.
Autoritetet kanë qenë selektive për emrat e personave të zgjedhur, ndërkohë që kanë vënë disa rregulla të rrepta që duhen zbatuar me përpikmëri nga çdo banor i kampit. Heqja e nixhabit, veshjes së zezë të grave të ISIS-it, është padyshim rregulli më i kontestuar nga vetë ato, por që me kalimin e kohës ka gjetur dakordësinë e secilës.
Në Rozh mundësia e gazetarit për të gjetur dikë ishte më e madhe sesa në Al-Hol, kjo për dy arsye: së pari sepse kampi ishte shumë herë më i vogël dhe së dyti sepse ishte më i organizuar edhe nga ana procedurale. Kjo u pa edhe nga shpejtësia me të cilën drejtuesit e kampit arritën të gjejnë dy nga gratë shqiptare atje.
Kjo grua, me origjinë nga Krraba e Tiranës, ka ndjekur bashkëshortin e saj në Siri. Ajo është goditur nga fatkeqësi të njëpasnjëshme që nga mbërritja atje. Një vajzë që ka lënë shtëpinë duke gënjyer prindërit e që sot kërkon faljen e tyre. Brunilda iu drejtohet atyre me zemrën në copë dhe me dëshirën për t’i ritakuar sa më shpejt.
Një histori e ngjashme është edhe ajo e Revajetit, e cila ndoqi pas në Siri burrin e saj. Ai u vra duke e lënë të ve bashkë me tre fëmijë. E si të mos mjaftonte jeta e vështirë e kampeve, para një viti autoritetet e Al Hol i marrin djalin vetëm katërmbëdhjetë vjeç.
Pas bisedës, dy gratë e shoqërojnë gazetarin tek tendat e familjeve shqiptare, ndërkohë që ai përfiton të flasë me ta për fatin e Eva Dumanit.
Emanuela Daci është personi që shfaqet sa herë flitet për gra të radikalizuara dhe për vendimin final të Eva Dumanit për të mos u kthyer.
Por çfarë përfaqëson kjo grua? Pse është kaq emblematike në kampet e ISIS?
Dyshimet që Daci të ketë qenë pjesë e brigatave famëkeqe të grave të ISIS nuk janë të pabaza. Aktiviteti i saj rekrutues në kamp është hetuar prej muajsh nga autoritetet e sigurisë. Sipas informacioneve të rezervuara, ajo ka mbajtur gjithmonë lidhje me gra të vëna në shënjestrën e shërbimeve sekrete, duke u kthyer në të dyshuar serioze për aktivitet rekrutues dhe shantazhues brenda kampit të Al Hol.
Pesëmbëdhjetë familje shqiptare kanë jetuar në tendat e vendosura në skajin më fundor të kampit. Mes tyre një numër i madh fëmijësh. Sapo gazetarët i afrohen tendave, rrethohen nga gratë. Janë të ndrojtura, gati mosbesuese.
Ruzhdia, një zonjë pak më shumë se pesëdhjetë vjeçare nga Librazhdi, ka mbërritur në Siri pikërisht në ditën kur iu vra djali nëntëmbëdhjetë vjeçar.
Klotilda ka qëndruar në kamp bashkë me tre fëmijët. Ajo nuk komunikon me bashkëshortin që ndodhet në burg që nga rënia e ISIS para gati tre vjetësh.
Ndërsa gazetari bën një xhiro pranë çadrave, përballet me një vajzë të vogël me pamje të dëshpëruar, e cila ka zënë një qoshe larg pjesës tjetër të grave dhe fëmijëve.
E vogla vazhdoi të qëndronte aty, vetëm, me sytë e saj të dëshpëruar që më shumë se ndihmë kërkonin një të drejtë të mohuar: kthimin në shtëpi, ndërkohë që gratë ishin të mbledhura të gjitha në sheshpushimin pranë çadrave.
Momenteve të gazetarit me gratë dhe fëmijët shqiptarë në Rozh i ka ardhur fundi. Vetëm 10 ditë pas këtyre intervistave, gjërat për këto gra dhe fëmijët e tyre do të merrnin një rrjedhë të paparashikuar.
Ndërkohë, u desh të kalojnë edhe 5 vite të tjera pritje për të pasur riatdhesimin e radhës, atë të Eva Dumanit, e cila pas 12 vitesh vuajtje po çmallohet me të afërmit e saj duke nisur një rrugëtim të ri në një shoqëri e cila kurrsesi nuk mund ta fajësojë për veprimet e babait të saj.
Por ndërkohë në kampet e Sirisë vazhdojnë të jenë ende gra dhe fëmijë shqiptarë në mes kaosit, dhunës dhe rrezikut të indoktrinimit.
Përfshirja e bashkatdhetarëve tanë në luftën e Sirisë, duke iu bashkuar një grupi fanatikësh që terrorizuan të gjithë globin, përveçse na zuri të papërgatitur, na bëri të reflektojmë seriozisht për rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm fetar me të cilin kishim bashkëjetuar pa kuptuar asgjë./piranjat
Po ndodh...
Gjermania, “mallkimi” i Ramës dhe Berishës
ide
Kur kriza bëhet sistem: Dilemat e Republikës së Kosovës
Opozita duhet dhe do të jetë më e madhe se një individ
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128