Trump po mendon t’i tërheq 3 miliardë dollarë nga financimi i Harvardit dhe t’ia japë shkollave tregtare: Investim i madh për SHBA-të

26 Maj 2025, 16:28 / BOTA ALFA PRESS

Trump po mendon t’i tërheq 3 miliardë dollarë nga financimi

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të hënën se po mendon të marrë 3 miliardë dollarë nga subvencionet që i jepen Universitetit të Harvardit dhe t’ia japë shkollave tregtare në Shtetet e Bashkuara. Ai madje e quajti universitetin “shumë antisemit”.

“Çfarë investimi i madh do të ishte kjo për SHBA-të dhe sa shumë e nevojshme!!!”, theksoi presidenti amerikan në platformën Truth Social.

Vlen të theksohet se presidenti amerikan Donald Trump mbrojti dje vendimin e administratës së tij për të ndaluar studentët e huaj të regjistrohen në Harvard, një masë që u cilësua si e paligjshme nga universiteti i njohur dhe u pezullua nga një gjyqtar.

“Pse Harvard nuk thotë se pothuajse 31% e studentëve të tij vijnë nga VENDE TË HUAJA, dhe megjithatë këto vende – disa prej të cilave nuk janë aspak mike me Shtetet e Bashkuara – nuk paguajnë ASNJË QINDARKË për arsimimin e studentëve të tyre dhe as nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë,” shkroi Trump në Truth Social, platformë e cila është në pronësi të tij.

“Duam të dimë se kush janë këta studentë të huaj – një kërkesë e arsyeshme, duke qenë se po i japim Harvardit MILIARDA DOLLARË – por Harvardi nuk është vërtet transparent,” shtoi ai, duke i bërë thirrje universitetit “të ndalojë së kërkuari” para nga qeveria federale.

Të enjten, Sekretarja për Sigurinë e Brendshme, Kristi Noem, kishte njoftuar heqjen e së drejtës së Harvardit për të pranuar studentë të huaj. Por së shpejti një gjyqtar pezulloi masën, kundër së cilës universiteti kishte bërë ankesë në gjykatën federale të Masaçusetsit në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Administrata Trump e akuzon Harvardin se refuzon mbikëqyrjen e Uashingtonit mbi pranimin e studentëve dhe procesin e punësimit të stafit akademik, dhe e akuzon universitetin si një vatër të antisemitizmit, për përhapjen e ideve tepër progresiste të së majtës dhe për lidhje me Partinë Komuniste Kineze.

Qeveria amerikane kishte ndërprerë tashmë financimet për universitetin në vlerë mbi 2 miliardë dollarë, gjë që çoi në ndërprerjen e disa projekteve kërkimore.

Sipas faqes së tij zyrtare, Harvard – i cili renditet ndër universitetet më të mira në botë dhe ka nxjerrë 162 fitues të Çmimit Nobel – pret këtë vit rreth 6.700 “studentë ndërkombëtarë”, që përbëjnë 27% të totalit të studentëve të tij. Këta studentë paguajnë dhjetëra mijëra dollarë në vit për tarifat e shkollimit.

Harvard është universiteti më i pasur në Shtetet e Bashkuara, me një fond të trashëguar që në vitin 2024 vlerësohej në 53.2 miliardë dollarë.

 

Po ndodh...

ide