BE përshpejton dëbimet e emigrantëve, firmosen marrëveshje të reja për qendrat e kthimit 

8 Dhjetor 2025, 16:55 / BOTA ALFA PRESS

BE përshpejton dëbimet e emigrantëve, firmosen marrëveshje

Bashkimi Evropian po përgatitet të zbatojë një ligj të ri që synon të përshpejtojë procesin e deportimit të azilkërkuesve të refuzuar dhe emigrantëve të parregullt. Sipas rregullores së re të quajtur “Rregullorja e Kthimit”, shtetet anëtare do të kenë të drejtën të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me vende jo-anëtare të BE-së për ngritjen e qendrave të kthimit, ku do të dërgohen personat që nuk kanë të drejtë qëndrimi në territorin e BE-së.

Në bazë të propozimit, shtetet evropiane mund të dërgojnë emigrantët edhe në vende që nuk lidhen me origjinën e tyre, për sa kohë që ekziston një marrëveshje dypalëshe dhe respektohen standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Qendrat e kthimit mund të funksionojnë si vende tranziti, ku migrantët përgatiten për t’u riatdhesuar, ose si destinacione të përhershme për ata që nuk pranohen në asnjë shtet tjetër.

Ministri danez për Imigracionin, Rasmus Stoklund, konfirmoi se “kriteri i lidhjes me vendin e origjinës është hequr”, duke u dhënë shteteve anëtare më shumë hapësirë për veprim. “Qendrat mund të jenë tranziti ose vende ku personat mbahen për periudha më të gjata”, theksoi ai.

Por nisma ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat e të drejtave të njeriut. Më shumë se 100 organizata ndërkombëtare, përfshirë Amnesty International, ActionAid, Caritas Europa dhe Human Rights Watch, kanë paralajmëruar se masa të tilla mund të çojnë në shkelje të rënda të të drejtave të migrantëve, duke e larguar BE-në nga parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Sipas Komisionit Evropian, aktualisht vetëm 20% e urdhrave të kthimit zbatohen në praktikë. Me rregulloren e re, BE synon ta rrisë këtë përqindje, përmes sanksioneve më të rënda ligjore për ata që nuk bashkëpunojnë me autoritetet, përfshirë heqjen e lejeve të punës dhe dënimet me burg./Euronews

Po ndodh...

ide