Banorët ankohen për kaos në trotuare, Praga ndalon dhënien me qira të skuterëve elektrikë nga janari 2026

20 Tetor 2025, 20:51 / BOTA ALFA PRESS

Banorët ankohen për kaos në trotuare, Praga ndalon dhënien

Praga ka vendosur të ndalojë nga janari 2026 dhënien me qira të skuterëve elektrikë, duke i konsideruar ata përgjegjës për kaosin në trotuare, sipas zëvendës-kryetarit të bashkisë.

Vendimi u mor nga këshilli bashkiak në kuadër të ndryshimeve në rregulloret e transportit publik të qytetit. Kryeqyteti çek, me një popullsi prej afro 1.4 milion banorësh, pret çdo vit mbi 8 milion turistë.

Autoritetet vendore miratuan gjithashtu rregulla të reja për parkimin e biçikletave, si atyre konvencionale ashtu edhe elektrike. Për skuterët elektrikë, megjithatë, mungesa e një kuadri të përshtatshëm ligjor ka çuar në pezullimin e përdorimit të tyre në qytet.

Zëvendës-kryetari i bashkisë, i cili mbulon çështjet e transportit, deklaroi se këshilli bashkiak ka votuar “pro” përfundimit të përdorimit të skuterëve elektrikë.

“Po vendosim rregulla të qarta që do të pastrojnë hapësirat publike nga trafiku i pakontrolluar i skuterëve, të cilët në qendër të qytetit shfrytëzoheshin më shumë si atraksion turistik sesa si mjet transporti, duke krijuar kaos në zonat e këmbësorëve,” shkroi ai në një deklaratë.

Zyrtarët e Pragës theksuan se kanë reaguar ndaj ankesave të shumta të banorëve në lidhje me rreziqet që paraqesin skuterët elektrikë, të cilët shpesh lëvizin me shpejtësi në trotuare, parkojnë në mënyrë të parregullt dhe bllokojnë hapësirat publike apo vendet e parkimit.

Qyteti, që synon të promovojë përdorimin më të gjerë të biçikletave të përbashkëta, theksoi gjithashtu se skuterët elektrikë kanë një shkallë më të lartë aksidentesh krahasuar me biçikletat.

Kompania Lime, një nga ofruesit më të mëdhenj të skuterëve elektrikë në Pragë, shprehu keqardhje për vendimin.

“Në qytetet ku ekziston një dialog konstruktiv me operatorët, skuterët mund të funksionojnë shumë mirë dhe të shërbejnë qytetarët,” deklaroi drejtori i Lime për Çekinë për agjencinë çeke të lajmeve CTK.

 

Po ndodh...