Revista e njohur zvicerane: Luftë për kontroll në Shqipëri, midis krerëve të vjetër të bandës politike Rama-Berisha!

Para selisë së Partisë Demokratike (PD), partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, është mbledhur një turmë njerëzish. Është një mbrëmje e së shtunës në fund të shkurtit; tingujt e borive të futbollit përzihen me thirrjen e ezanit nga një xhami aty pranë. Arbeni, një ish-minator nga malësia veriore e Shqipërisë, pret derisa turma të fillojë të lëvizë.
55-vjeçari tregon se nga qyteti i tij i vogël gjithnjë e më shumë të rinj po largohen, se fabrikat po mbyllen dhe shumë familje varen nga paratë që u dërgojnë fëmijët nga jashtë.
Arbeni, i cili preferon të mos tregojë mbiemrin e tij, flet gjithnjë e më me zemërim. Ai tregon me gisht nga një ndërtesë moderne shumëkatëshe përballë selisë së partisë. Si shumë të tjerë në vend, ai është i bindur se në sektorin e ndërtimit pastrohen para të drogës dhe se për këtë arsye çmimet po rriten shumë:
“Askush nuk mund ta përballojë një apartament në Tiranë. Unë njoh vetëm njerëz që jetojnë me qira.”
Socialistët kundër Demokratëve
Pastaj Arbeni bashkohet me turmën dhe fillon të brohorasë sloganet e zakonshme:
“Rama, ik!”,
“Rama, burg!”,
“O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.
Sali Berisha dhe Edi Rama: prej gati njëzet vitesh këta dy burra dominojnë politikën e brendshme të Shqipërisë. Berisha, 81 vjeç, është një figurë e vjetër politike dhe kryetar i demokratëve në opozitë. Edi Rama nga Partia Socialiste (PS) qeveris që nga viti 2013.
Në fushatën e fundit zgjedhore, 61-vjeçari premtoi ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Por skandalet e fundit të korrupsionit kanë tronditur negociatat.
“Edi Rama i ka mbyllur dyert e Europës”, bërtet një folës në demonstratë, “dhe për kë? Për Belinda Ballukun!”
Rasti i Belinda Ballukut
Belinda Balluku ishte deri para pak muajsh një nga gratë më të fuqishme në Shqipëri. Si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, që nga viti 2019 ajo drejtonte një nga ministritë më të mëdha dhe më të rëndësishme të qeverisë. Ajo ishte gjithashtu zëvendëskryeministre dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ramës.
Në tetor 2025 u bë e ditur se SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) po hetonte ndaj Ballukut. Tashmë është ngritur aktakuzë; Balluku është pezulluar nga detyra dhe i është vendosur ndalim udhëtimi.
SPAK u krijua dikur me nismën e SHBA-së dhe BE-së për të forcuar drejtësinë në Shqipëri. Edi Rama e pranoi këtë si kompromis në kuadër të afrimit me BE-në. Tani, megjithatë, kjo strukturë po bëhet e rrezikshme për rrethin e tij më të ngushtë.
Gjatë viteve të fundit disa nga aleatët e Ramës kanë humbur postet e tyre, ndër ta ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Edhe ndaj liderit të opozitës Sali Berisha ka pasur hetime nga SPAK.
Belinda Balluku është deri tani zyrtarja më e lartë e akuzuar nga radhët e socialistëve. Ajo dyshohet se së bashku me një zyrtar të lartë të Autoritetit Rrugor kanë manipuluar tenderët për projekte infrastrukturore dhe kanë vendosur paraprakisht cilat kompani do të fitonin.
Hetimet prekin gjithashtu një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë Rama: tunelin e Llogarasë, që lidh qytetin e Vlorës në jug të Shqipërisë me rivierën shqiptare. Sipas akuzave, ministrja Balluku ka ndërhyrë në procedurën e tenderimit.
Për Jorida Tabakun, deputete e PD-së, kjo është vetëm “maja e ajsbergut”. Edhe ajo ndodhet në demonstratë.
“Ka edhe raste të tjera”, thotë ajo. “Kjo qeveri ka krijuar një sistem që nuk lejon më konkurrencë të lirë. Njerëzit nuk mund të marrin pjesë në tenderë të ndershëm.”
Megjithatë Tabaku ndodhet në një dilemë. Ajo thotë se është “europiane me gjithë zemër” dhe nuk dëshiron që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE të ndërpriten.
“Këtë nuk e meritojnë qytetarët e këtij vendi.”
Ajo shpreson që procesi i integrimit europian të sjellë ndryshime reale në vend.
Jo e krahasueshme me Serbinë
Skandalet e korrupsionit në sektorin e ndërtimit në Shqipëri kujtojnë situatën në Serbi. Atje, gjatë rinovimit të një strehe të stacionit të trenit në Novi Sad, punimet u kryen keq dhe struktura u shemb. Si pasojë vdiqën gjashtëmbëdhjetë njerëz. Kjo çoi në protestat më të mëdha kundër qeverisë që nga fundi i viteve nëntëdhjetë.
Protestat që ndodhin në Shqipëri – mesatarisht një herë në javë – janë ndryshe. Edhe pse mijëra njerëz dalin në rrugë, nuk bëhet fjalë për një lëvizje të gjerë qytetare, por kryesisht për tubime të organizuara nga PD e Sali Berishës. Njerëzit marrin pjesë sepse “partia e tyre” i thërret.
Kjo ndonjëherë përfundon edhe në dhunë. Mbrëmjen e 28 shkurtit, disa protestues sulmuan me fishekzjarre dhe bomba molotov ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha. Shtëpia së fundmi është shndërruar në një qendër kulturore ku qëndrojnë artistë nga e gjithë bota.
Pamjet e përshkallëzimit të dhunës e ndihmojnë edhe një herë Edi Ramën të dalë nga situata e vështirë. Me sulmin ai mund të tërheqë vëmendjen nga dilema e tij kryesore:
A mund ta dorëzojë bashkëpunëtoren e tij më të afërt para drejtësisë pa rrezikuar edhe vetë?/Përktheu Alfapress.al, marrë nga Revista woz.ch
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128