Si "qepeshin" tenderat në AKSHI/ GJKKO i kërkon SPAK të hetojë të penduarin Daniel Shima: Ka zbatuar urdhrat e Lindës dhe Havasë

9 Prill 2026, 20:53 / AKTUALITET ALFA PRESS

Si "qepeshin" tenderat në AKSHI/ GJKKO i kërkon SPAK të

Daniel Shima, i konsideruari nga SPAK si dëshmitari “kyç” në shpjegimin e aferave të paracaktimit të fituesve në tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI), rezulton të jetë njëri nga përgjegjësit kryesorë të këtyre aferave, por që çuditërisht prokurorët e posaçëm të SPAK, ende nuk kane ngritur zyrtarisht një akuzë penale kundër tij.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se prezenca e Daniel Shima, në këtë veprimtari kriminale, është konstatuar dhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, e cila këshillon dhe orienton dy prokurorët e çështjes penale me Nr.20/1, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, që të ushtrojnë ndjekjen penale ndaj ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.

Ndjekja penale duhet të orientohet edhe tek punonjësit Emirton Suli, Meri Manaj, Helena Papa, Denis Molla, Ingrida Luzha, Ersila Qeramixhiu, Brixhilda Sinanaj, Aurel Vrenos dhe Enklid Pelari, të cilët kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tendera të caktuar si dhe njëherësh kanë firmosur disa praktika.

Sipas dosjes hetimore në muajin Dhjetor 2025 dhe Janar 2026, Daniel Shima është marrë 3 herë në pyetje në ambientet e prokurorisë së posaçme SPAK.

Në dëshmitë e tij, Shima ka treguar se ai së bashku me anëtarë të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë kryer të gjitha veprimet kriminale në paracaktimin e fituesit, duke u orientuar nga Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zv/drejtoresha e këtij institucioni, Hava Delibashi.

Sipas rrëfimit të Daniel Shimës, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi, ishin dy zonjat e AKSHI-t që “pilotonin” shpalljen e fituesit të tenderave.

Ndërsa Shima së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ishin thjesht zbatues të urdhëresave dhe direktivave, që jepnin dy zonjat e vëna tashmë në ndjekje penale nga SPAK dhe me masë sigurie “Arrest shtëpie”.

Por rrëfimet e Daniel Shimës, Emirton Sulin dhe personave të tjerë, janë të karakterit penal, ndaj Gjykata e Apelit të Posaçëm, ka orientuar prokurorët e SPAK, që të ushtrojnë ndjekjen penale ndaj tyre pasi rezulton të kenë vënë në zbatim urdhra kriminalë dhe krijuar gara fiktive.

“…nga provat e relatuara në pjesën e rrethanave të çështjes Daniel Shima, Emirton Suli, Meri Manaj, Helena Papa, Migena Schroeder, Denis Molla, Ingrida Luzha, Ersila Qeramixhiu, Brixhilda Sinanaj, Aurel Vrenos, Enklid Pelari, në deklarimet e bëra para policisë gjyqësore japin njoftime se procedurat e prokurimit objekt hetimi kanë qenë të paracaktuara rezultatet. Se gjithçka ishte fiktive në realizimin e këtyre procedurave ligjore, duke qenë se ofertat zgjidheshin me urdhër të titullarit dhe zëvendëstitullarit dhe kjo gjë ka ndodhur para dhe pas vitit 2024)…”-thuhet në dokumentet e siguruara nga gazetari Elton Qyno.

Sipas dëshmisë së Daniel Shimës dhe personave të tjerë anëtarë të KVO-së, kriteret e padrejta përjashtuese të operatorëve ekonomikë diktoheshin nga jashtë institucionit dhe parashikoheshin me urdhër të titullarit apo me interpretimin e zëvendëstitullarit si kritere për pranimin dhe skualifikimin e operatorëve ekonomikë.

Gjithashtu Shima ka dëshmuar se rriteshin fiktivisht fondet limite përmes manipulimit të ofertave dhe zërave të çmimeve të produkteve në preventivet e paraqitura të këtyre procedurave të prokurimit publik dhe se grupet e punës, njësitë e prokurimit.

Shima ka treguar se Komisionet e Vlerësimit të Ofertave dhe komisionet e shqyrtimit të ankimeve, ngriheshin dhe funksiononin vetëm formalisht për të legalizuar një punë të paravendosur dhe parapërfunduar.

Ai shpesh herë ka qenë anëtar në këto komisione dhe se ka zbatuar të gjitha urdhrat që vinin nga lart, duke ju referuar Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashit.

Nisur nga kjo situatë Gjykatë e Apelit të Posaçëm sqaron në vendimin e saj, se: “…për të gjithë përgjegjësit eventualë të këtyre veprave penale do të duhet të adresohet një zgjidhje ligjore në vijimin e hetimeve paraprake…”.

Ndër të tjera ka rezultuar se në këto procedura prokurimi publik që po heton SPAK, ka operatorë ekonomikë që garojnë pa oferta dhe pa dokumente, me qëllimin e dyshuar arsyeshëm kriminal për të krijuar idenë e garës reale.

Në këto procedura prokurimi publik rezulton se ka bashkërendim dhe bashkëkoordinim ndërmjet shoqërive që janë në vijimësi bashkortake faktikisht, sikurse janë “Communicaton Progress sh.p.k”., “Horizon” sh.p.k., “Soft & Solution”, “First” dhe “Fastech”.

Synimi i këtyre ofertuesve, të thirrur nga brenda AKSHI-t për të paraqitur oferta, është formalizmi i një gare ekonomike që nuk është e vërtetë por që vetëm të duket si e tillë dhe me qëllimin final që të shpallet fituese njëra prej tyre e më tej të ndahen fitimet.

Nga ana tjetër në dosjen hetimore thuhet se sipas deklarimeve të Daniel Shima dhe Emirton Suli, të paktën që në vitin 2023, AKSHI kishte formësuar një praktikë administrative të tillë të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik dhe sigurinë e informacionit të klasifikuar, që të krijohej një artificë ligjore për të krijuar qark të mbyllur në mënyrën se si zhvillonte garat e prokurimit ky institucion.

Këto shpjegime të dhëna nga dy personat e mësipërm sqarojnë se, duke u bazuar tek zona e klasifikuar "Data-Center" e AKSHI, interpretohej dhe zbatohej legjislacioni respektiv sikur të kërkohej detyrimisht certifikimi i sigurisë për subjektet operatoré ekonomikë, edhe atëherë kur procedura e prokurimit nuk e justifikonte marrjen e kësaj mase sipas ligjit.

Këto shpjegime sqarojnë se si krijimi i këtij kriteri të posaçëm u bë duke u koordinuar edhe me agjencinë respektive që pajiste me certifikatat respektive të sigurisë operatorët ekonomikë.

Pasi në këtë mënyrë sigurohej se operatorët e paracaktuar si fitues të mos kishin asnjëherë konkurrencë nga gara e hapur e ofertave që paraqiteshin nga operatorë të tjerë ekonomikë jashtë këtij qarku të mbyllur, pasi ato s’kualifikoheshin se nuk ishin të pajisur me certifikatë sigurie.

Gjithçka tregon Daniel Shima dhe kryesisht anëtari tjetër Emirton Suli mbi krijimin e artificës ligjore të zonës së klasifikuar të "Data-Center" dhe diktimin e kriterit të certifikimit të sigurisë “CSI” është krijuar nga koha e ushtrimit të detyrës së Daniel Shima dhe ka vijuar në kohën e ushtrimit të detyrës nga Hava Delibashi.

Fakti që edhe Mirlinda Karçanaj edhe Hava Delibashi, ishin në dijeni se ky ishte një kriter i krijuar me keqbesimin penal të posaçëm për të s’kualifikuar subjektet e padëshiruar nga gara ekonomike e prokurimit, tregohet edhe nga mënyra se si janë anuluar në vitin 2025 dy procedurat e prokurimit publik ku ishte kualifikuar shoqëria “ABS sh.p.k.” e kontrolluar nga Gerond Meçe.

Këto vendimmarrje anulimi janë iniciuar nga autoriteti kontraktor AKSHI nga shkresa "Memo" e firmosur përtej Helena Çupi.

Mirëpo deklarimet e Emirton Suli, tregojnë se ajo ka qenë e detyruar të veprojë me këtë shkresë, edhe pse e dinte se vinte në kundërshtim me ligjin, pasi kështu i ishte kërkuar nga Mirlinda Karçanaj dhe nga Hava Delibashi…”.

Kjo mënyrë e shpjegimit se si funksiononte AKSHI në këto procedura prokurimi gjen mbështetje edhe nga deklarimet e Daniel Shima por edhe në shpjegimet e Helena Çupit. Kjo e fundit deklaron ndër të tjera se:

“…interpretimi se humbja e certifikatës “CSI” passillte ligjërisht dhe automatikisht edhe humbjen e çertifikatës “CSP” ishte bërë nga Hava Delibashi dhe se shkresat "Memo" të hartuara prej saj ishin miratuar nga Karçanaj dhe nga Delibashi…”. /Syritv

Po ndodh...

ide