Punonte si sekretare në gjykatën e Elbasanit, SPAK urdhër-arrest edhe për motrën e Regis Runajt!

3 Gusht 2024, 08:56 / AKTUALITET ALFA PRESS

Punonte si sekretare në gjykatën e Elbasanit, SPAK urdhër-arrest

Kanë dalë para Gjykatës ditën e djeshme për t’u njohur me masat e sigurimit personal, 13 personat e arrestuar tri ditë më parë me urdhër të SPAK.

Personi i vetëm që është parë të hyjë në derën e Gjykatës, ishte gjyqtarja e shkarkuar Pajtime Fetahu, e cila ka dalë në bisedat mes anëtarëve të bandës së vëllezërve Çopja. Por implikimi më i rëndë që mbart kjo dosje, vjen sërish nga Gjykata e Elbasanit, ku ish-sekretarja, e cila rezulton të jetë motra e Regis Runajt, nuk ka të drejtë të largohet nga Shqipërie.

Nuk dihet ende se sa është shkalla e implikimit të saj në ngjarjet që u zbuluan nga autoritetet ndërkombëtare pas hapjes së bisedave të Sky Ecc, por vëllai i saj, u masakrua nga grupi i killerave që drejtonte Nuredin Dumani.

Vrasja e Regis Runajt, mbase është një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në Elbasan në dekadën e fundit. Madje ishte ai krim horror që i solli drejtësisë një prej dëshmitarëve më të vlefshëm që çoi në izolimin e Erion Alibejt dhe më pas edhe të goditjes së skuadrës së vrasësve që menaxhonte Dumani.

MASAT

Të arrestuarit e operacionit “Plumbi i artë 2”, që zbuloi dhe aktivitetin e organizatës kriminale të vëllezërve Çopja në Elbasan u shoqëruan ditën e djeshme në Gjykatën e Posaçme për verifikim të masës së sigurisë. Seanca që nisi para orës 10: 00 zgjati për disa orë pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me aktet. Në përfundim, Gjykata e Posaçme caktoi dhe masat e sigurimit për 13 të arrestuarit për disa ngjarje të rënda kriminale. Mësohet se togat e zeza kanë lënë në fuqi masën “Arrest në burg” për 11 të dyshuar, një “Arrest në shtëpi” dhe një prej tyre “Detyrim paraqitjeje”.

Mes personave që ishte caktuar masa sigurie “Arrest në shtëpi” ishte edhe ish-gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Pajtime Fetahu. Seanca ndaj saj u zhvillua e veçuar nga të akuzuarit e tjerë. Ish-gjyqtarja akuzohet për ‘Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal”. Vetë gjyqtarja e përlotur nuk i pranoi akuzat. Për sekretaren e saj, Denada Toda, GJKKO la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit.

ARRESTIMET

Të gjithë personat që dolën sot për vlerësimin e masës së sigurisë u arrestuan në kuadër të operacionit ‘Plumbi i artë 2″ që zbuloi dhe aktivitetin e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan. Më 29 korrik 2024 GJKKO firmosi 33 masa sigurie, nga të cilat 13 u ekzekutuan ndërsa, 2 rezultojnë të arrestuar më parë jashtë Shqipërisë. Organizata, thotë SPAK kishte arritur të rekrutonte edhe dy punonjës të Policisë së Shtetit dhe një punonjëse në Gjykatën e Elbasanit që u jepte informacione sekrete.

Në njoftimin e bërë publik dje SPAK bënte me dije se vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, me kalimin e viteve kishin arritur të fuqizoheshin ekonomikisht dhe si rrjedhojë dhe pozitat e tyre në raport me grupet e tjera në trafikun e drogës në Evropë e jo vetëm. Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë vetëm disa prej krimeve më të rënda, të cilat SPAK ka zbardhur dhe thotë se kanë për autorë organizatën kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja Elbasani.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme u çuan përpara falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol dhe autoritetet holandeze, belge dhe franceze. SPAK zyrtarisht ende nuk ka bërë të ditur emrat e personave, të cilëve u është firmosur urdhër-arresti, por në ditën e operacionit u mësua se mes personave për të cilët ishin firmosur urdhërarrest ishte edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, shefi i krimeve në Durrës Agustin Cinari, si dhe nëndrejtori i Burgut të Bradasheshit Martin Musaj

Si u hartua plani për vrasjen e Regis Runaj

“Euglen Halili, ka deklaruar se pasi Emiljano Ramazani është vrarë, disa ditë më pas, Xhuliano i kishte thënë: ‘Tani i erdhi ora Regit (për Regis Runaj)…dhe se ‘Lali’ (Erion Alibej) do ta heqim qafe Regin me thikë dhe jo me armë. Unë Regisin e kam njohur gjatë karantinës të vitit 2020”, thuhet në dosjen hetimore.

Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, radhën e kishte Regis Runaj. i cili ishte siç thamë djali i hallës së Mikael Qoses, një tjetër personazhi të përfshirë në grupin që kishte qëlluar ndaj njerëzve të familjes Alibej.

Ky është edhe momenti kur Erion Alibej, përgatit një listë të gjatë me viktima.

Kështu erdhi edhe vrasja mizore e Regis Runaj. i cili ndërsa u thirr në kurth, u qëllua për vdekje me thikë në qafë në varrezat e qytetit te Elbasanit.

Ku një nga të përfshirët në këtë ngjarje, Eugen Halili, tregoi edhe planin se si u vra Regis Runaj.

Dosja Hetimore

Euglen Halili, ka deklaruar se pasi Emiljano Ramazani është vrarë, disa ditë më pas, Xhuliano i kishte thënë: ‘Tani i erdhi ora Regit (për Regis Runaj)…dhe se ‘Lali’ (Erion Alibej) do ta heqim qafe Regin me thikë dhe jo me armë. Unë Regisin e kam njohur gjatë karantinës të vitit 2020.

Ndërsa Xhuliano e ka njohur më parë. Por që të mos bija në sy unë me Regisin kam filluar të shoqërohem nga muaji mars deri ditën që është vrarë.

Këto dëshmi u përforcuan edhe nga bashkëjetuesja e Xhuliano Hoxhës.

E cila përpara grupit hetues tha se Xhuliano dhe Eugleni ishin njohur me njëri-tjetrin për shkak të një marrëdhënie biznesi që kishin prindërit e tyre.

Ndërsa Xhuliano e njihte ‘Lalin e Madh’, në këtë rast Erion Alibej, për shkak se i kishin pallatet përballë.

I cili kishte një problem me një person të quajtur Emiljano, kjo për shkak të vrasjes së vëllait të tij.

Ky dikush tjetër siç thamë ishte Regis Runaj.

I cili u vra, më datë 29 Korrik 2020.

Pra 7 ditë, pasi Erion Alibej dhe të tijët kryen ekzekutimin e Emiljano Ramazanit.

Po ndodh...

ide