Ministri Lamallari viziton në spital policët e lënduar në protestë: Mjerim i madh e pabesi të përdorësh të miturit për të sulmuar me molotovë

22 Mars 2026, 22:19 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ministri Lamallari viziton në spital policët e lënduar në

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka vizituar në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët mbetën të plagosur gjatë protestës së opozitës. Ministri dënon ashpër dhunën ndaj uniformave blu, duke theksuar se përdorimi i molotovëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme ndaj efektivëve që ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë është i papranueshëm.

“Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme,” u shpreh ministri, duke shtuar se Policia e Shtetit ishte në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë manipulimi dhe shfrytëzimi. Sipas tij, përdorimi i fëmijëve për të ndezur molotovë apo për të hedhur fishekzjarre ndaj institucioneve përbën një shkelje të rëndë dhe një përgjegjësi penale për ata që i nxisin. “Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve,” theksoi ai.

Deklarata e plotë e ministrit Lamallari

Në Spitalin e Traumës për të parë nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur nga molotovët dhe mjetet e rrezikshme teksa ishin në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme!

Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t’i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve.

Autorët, organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi. Ne do të qëndrojmë fort në mbrojtje të ligjit, institucioneve dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Po ndodh...