Dëshmitë/ Çfarë po ndodh me Marinën e Albar në Durrës? Pallati fundoset 74 cm

Një dëshmi tronditëse nga brenda kantierit të projektit ‘Durrës Marina’ ngre alarmin për sigurinë e dy prej godinave të para të ndërtuara në këtë kompleks gjigant. Sipas një nënkontraktori të angazhuar në punimet e betonit, dy pallatet e para kanë pësuar ulje të konsiderueshme në tokë, duke arritur deri në 74 centimetra zhytje.
Projekti i njohur ndryshe si kompleksi i Alabarit është prezantuar si një investim strategjik prej 3.2 miliardë eurosh në zonën e portit të Durrësit. Megjithatë, dëshmia e fundit hedh hije të forta dyshimi mbi cilësinë e ndërtimit dhe standardet e zbatuara.
Sipas nënkontraktorit, problematika ka nisur që në fazat e para të ndërtimit, ku nuk janë vendosur pilotat e thella të domosdoshme për një terren ranor dhe të paqëndrueshëm pranë detit. ‘Terreni nuk e mban objektin. Është kënetë, rërë. Duhej bërë ndërtimi mbi pilota, por për të kursyer kostot, është ndjekur një procedurë e gabuar,’ shprehet ai.
Pas shfaqjes së problemeve, në objekt janë konstatuar dëmtime serioze, përfshirë çarje të strukturës dhe thyerje të elementëve të vendosur si dyer dhe dritare. Aktualisht, sipas dëshmisë, po kryhen ndërhyrje përforcuese anësore me pilota, një zgjidhje që ekspertët e konsiderojnë të pamjaftueshme nëse nuk është aplikuar që në fillim.
Nga ana tjetër, matjet e kryera në terren nga Piranjat, përmes teknologjisë së dronit, konfirmojnë një disnivel të konsiderueshëm mes godinave. Rezultatet tregojnë diferenca nga 70 centimetra deri në 1 metër mes strukturave, duke përputhur kështu denoncimin e bërë nga burimi brenda projektit.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur projekti ka qenë nën kritika edhe për ecurinë e ngadaltë dhe modelin financiar. Edhe pse ishte premtuar ndërtimi i rreth 1680 apartamenteve në fazën e parë, deri më tani janë përfunduar vetëm tre godina, ndërsa investimet reale mbeten shumë larg shifrave të deklaruara fillimisht.
Sipas të dhënave financiare, për vitet 2023–2024 janë shpenzuar rreth 41 milionë euro për punime, ndërkohë që vetë kompania ka investuar vetëm një pjesë të vogël të kapitalit nga fondet e saj, duke u mbështetur kryesisht në shitjen e apartamenteve në fazë projekti.
Megjithatë, mbetet ende pa përgjigje pyetja thelbësore: kush mban përgjegjësi për këtë situatë-projektuesit, zbatuesit apo institucionet shtetërore që kanë mbështetur projektin?/Piranjat
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128