Debati për Avokatin e Popullit, PS refuzon ‘formulën’ e Bardhit! Shabani pritet të marrë votat e socialistëve

3 Dhjetor 2025, 11:34 / AKTUALITET ALFA PRESS

Debati për Avokatin e Popullit, PS refuzon ‘formulën’ e

PS dhe PD nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Partia Socialiste nuk do të pranojë formulën e propozuar një ditë më parë nga Gazment Bardhi, sipas së cilës opozita do i sugjeronte mazhorancës 6 emra, prej të cilëve shumica zgjedh 3. Më pas, nga 3 emrat e mbetur, opozita zgjedh vetëm një emër të cilin ia propozon seancës plenare për votim.

Siç sqarojnë burimet, PS pritet që të hedhë për votim në seancë plenare të gjithë listën e kandidatëve që kanë marrë 28 firma dhe jo vetëm një kandidat siç propozon PD. Report Tv ka mësuar se socialistët do të mbështesin me votë kandidaturën e Endri Shabanit, i cili ka marrë firma nga të gjithë përfaqësuesit e PD-së, përveç Sali Berishës dhe Flamur Nokës.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit pritet të futet në rend ditë në seancën plenare të 11 dhjetorit, kur pritet miratimi nen për nen i buxhetit 2026. 

Deri më tani demokratët kanë mbështetur me firma disa prej tyre si Jola Hysi, Adriana Kalaja, Endrit Shabani, Besim Ndregjoni, Sajmir Visha, Tartar Bazaj, Dardan Mustafa apo Shkëlqim Sulo.

Avokates së Popullit, Erinda Ballanca i ka mbaruar mandati në maj 2022, por ajo vazhdoi punën duke pritur pasardhësin më shumë se tre vite.

Disa tentativa të parlamentit të shkuar për të gjetur një emër konsensual mes PS-së dhe PD-së dështuan, teksa kombinohej nevoja për 84 vota, si dhe një praktikë e mirë që ky post t’i besohej një emri të propozuar nga opozita.

PS ka tashmë 83 vota, dhe me 3 mandatet e PSD-së lehtësisht mund të zgjedhë një Avokat Populli pa përfshirjen e Partisë Demokratike.

 

Po ndodh...