Belgjika publikon bilancin e operacionit Sky ECC: Një e treta e mesazheve ishin në shqip

27 Shkurt 2026, 21:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Belgjika publikon bilancin e operacionit Sky ECC: Një e treta e mesazheve

Autoritetet belge kanë publikuar një përmbledhje të rezultateve të operacioneve të nisura pas zbërthimit të platformës së koduar Sky ECC, pesë vite pas fillimit të një prej aksioneve më të mëdha policore në historinë e vendit.

Sipas raportimit zyrtar, rreth një e treta e mesazheve të shkëmbyera në platformë kanë qenë në gjuhën shqipe, ndërsa 578 të dyshuar identifikohen si përdorues me këtë gjuhë amtare. Autoritetet belge theksojnë se grupet kriminale nga Ballkani kanë fituar terren në Belgjikë, veçanërisht në trafikun e drogës.

Belgjika ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë shqiptare në hetimet që lidhen me Sky ECC. Sipas të dhënave, informacioni i ndarë ka ndihmuar në zbardhjen e 15 vrasjeve dhe 15 tentativave për vrasje në Shqipëri. Të dhëna janë ndarë gjithashtu me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Kontroll nga distanca i trafikut të drogës

Hetimet zbuluan se dërgesat e drogës drejt Belgjikës dhe Amerikës Latine kontrolloheshin nga pajisje të vendosura në vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Maroku, Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit. Kjo u mundësonte drejtuesve të grupeve kriminale të menaxhonin operacionet nga distanca, pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë me ngarkesat.

Mbi 1,200 të dënuar dhe miliarda mesazhe të analizuara

Mbi 1,200 persona janë dënuar në çështje të nisura pas operacionit ndaj Sky ECC

Janë identifikuar rreth 5,000 të dyshuar të mundshëm

Më shumë se 1 miliard mesazhe janë analizuar

Janë sekuestruar mbi 224 milionë euro

Janë dhënë dënime që arrijnë në 3,684 vite burg në total

Rastet përfshijnë jo vetëm trafik droge, por edhe dhunë, pastrim parash, armëmbajtje pa leje dhe shkelje të sekretit profesional.

Për shkak të rrjetit të gjerë ndërkombëtar, autoritetet belge kanë vendosur oficerë ndërlidhës në Kolumbi, Brazil, Turqi, Marok, Itali dhe Shqipëri. Një magjistrat është emëruar për të koordinuar bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ekstraduar 13 të dyshuar drejt Belgjikës.

Po ndodh...

ide