Maran: Bëmë një hap pas/ Trajeneri kuqezi komenton humbjen në miqësoren me Luksemburgun

7 Qershor 2026, 15:43 / SPORT ALFA PRESS

Maran: Bëmë një hap pas/ Trajeneri kuqezi komenton humbjen

Rolando Maran duhet të ketë patur diçka tjetër në mendje, kur pranoi të ulej në pankinën e kombëtares së Shqipërisë. Por dy humbjet radhazi e kanë bërë shumë shpejt “malore” aventurën kuqezi të teknikut italian.

Këtë e ka kuptuar edhe vetë trajneri, sidomos pas disfatës me Luksemburgun.

“Nuk mund të ndjehesh mirë pas dy humbjesh, kjo pastaj që është një hap mbrapa. Më vjen keq, shpresoja që të bëja një ndeshje ndryshe. Por me shumë mundësi vuajtëm edhe pasojat e mosklasifikimit në Botëror. Ndoshta i sollëm në këto dy ndeshje. Nuk duhet të jetë alibi. Impenjimi ishte maksimal, por nga energjitë, skuadra e ka paguar pak moskualifikimin”, theksoi Maran.

Pavarësisht nisjes negative, Maran mundohet të marrë gjërat pozitive nga dy ndeshjet e para, megjithëse ato janë të pakta.

“Unë dija që për të provuar disa gjëra ekzistonte rreziku që të mos kishim paraqitje të mira. Por ishin dy teste që më nevojiteshin. Unë ose do të punoja për të ardhmen, ose për veten. Zgjodha të punoj për të ardhmen, për të parë se cfarë mund të bëjmë. Mora disa përgjigje pozitive, të tjera negative që më bëjnë të reflektoj. Unë jam i qetë, pasi tani ka gjëra vetëm për të rregulluar”, tha ai.

Sinjalet nuk janë aspak të mira, por trajneri kuqezi sheh të ardhmen me optimizëm.

“Them se po. Kësaj skuadre i munguan disa lojtarë të rëndësishëm. Nuk jam trajner prej një dite. Kur shoh lojtarë që impenjohen, pavarësisht se nuk bëjnë atë që do të donin edhe ata vetë, duhet të kuptojmë edhe vështirësitë e momentit. Shumë prej tyre kishin luajtur pak. Pastaj, nëse mendoj për lojtarët që do të kthehen dhe do të jenë në formë, atëherë jam optimist”, shtoi trajneri.

Maran nuk do të kalojë një verë të qetë. Kombëtarja kuqezi do të kthehet në fushë në shtator për ndeshjet në Ligën e Kombeve dhe deri atëherë, trajneri duhet të sistemojë shumë gjëra.

Po ndodh...