Rinia në misionin e saj!

11 July 2026, 14:22 / IDE NGA PREç ZOGAJ
Rinia në misionin e saj!

Në shfaqjen e vet protesta ekspozon episode dhe fjalime deri antagoniste në domethënien e tyre. E tillë është. Shumëngjyrëshe, heterogjene.

Nuk do të mbahej dot po të ishte një parti. Qëndon rreth kërkesave përbashkuese dhe misionit të saj për largimin e kastës autokratike dhe zevëndësimin e tyre me një elite të re.

Me votë, sigurisht. Por jo me votën në vrimë të gjilpërës që ofron ligji zgjedhor antipopullor i dy partive të establishmentit.

Shtylla e protestës është rinia. Ajo ka përkufizuar kauzën e vet dhe ka vendosur t’i jepet me mish e me shpirt.

Siç i ka hije çdo gjenerate që në një moment të caktuar vendos të mos vegjetojë duke e lenë fatin e vet në duart e aurtokracisë, apo të pleqve që nuk dinë të largohen (gjerondokracisë).

Ka edhe mosha të tjera në protestë, që marrin fjalën për të treguar histori vetjake apo proklamuar parulla politike të një rrymë të caktuar. Agora e ka këtë. Sekush të vetën dhe të gjithë rreth përbashkuesës.

Por tonin e kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin të rinjtë dhe të rejat e fashës rinore. Fashë e cila në kohën tonë rrok dy dekada-gjimnazitë, studentë, të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, profesionistë të sektorit privat, por edhe të sektorit publik, punëtorë në zanate, të papunë.

Ata janë epika e protestës më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë, pishtari që mban flakën ndezur me potencialin e sigurtë për tu bërë flakadan sa herë do të caktohej një takim i madh kombëtar.

Ata që jetojnë në Shqipëri i ka hedhur në këtë takim të madh me historinë dilema “ të ikim apo të rrimë”.
Ata që kanë ikur në emigracion, i ka hedhur dilema “të vazhdojmë të qëndrojnë si emigrantë në dhera të huaj, apo të kthehemi të popullojnë e shpëtojmë vendin tonë të bekuar”? Protesta ku marrin pjesë është përgjigja e tyre. Duan të rrinë. Duan të kthehen. Duan të marrin në dorë fatin e tyre.
Ata janë ushtarët e Salaminës, një metaforë botërore që ka lindur për të treguar pararojën që hap një rrugë të re në histori.

Rruga e re në vendin tonë është demokracia pjesëmarrëse, kundër përjashtimit të popullit nga rregjimi që mban emrin e popullit, kundër personalizimit të pushtetit nga kryeministri, kundër rrethimit të zgjedhjeve nga shtetpartia, kundër shterpëzimit të zgjedhjeve me lista të mbyllura, kundër kastave politike-ekonomike-kriminale në simbiozë me njëra-tjetrën, vërtertuar nga një numër hetimesh penale të SPAK-ut.

Rruga e re është Shqipëria në Europë, që ka si kusht standartet jo në letra, por në zbatim. Standarte pa mbyllje të njërit sy për arsye gjeopolitike në rrethanën e rigjetjes së kohezionit BE-SHBA.

Do të thotë se me një elitë politike gjthnjë e më të njollosur nga aferat korruptive hyrja e Shqipërisë në BE rrezikon seriozisht të mbetet një mirazh.

Duke dalë në rrugë për standarte europiane me vepra, qytetarët në protestë dhe sidomos rinia, janë aktorët pararojë të integrimit. Europa po i njeh të tillë dhe do t’i mbështesë me shumë në vijimësi.
Prej shumë e shumë vitesh është ngritur me shqetësim në Shqipëri nga analistë dhe politikanë të lirë rreziku i asfiksimit të demokracisë nga kasta plurale solidare Berisha-Rama. Si? Duke berë këta teatrin e demokracisë me fjalë “të forta”, me akuza “ të egra”, por duke u fuqizuar sakaq konsensualisht në krye të kazermave politike respektive me ligin e tyre elekroral të listave të mbyllura dhe me pikëtakime të tjera të interesit të ndërsjelltë në eter.
Kjo lloj marrëdhënieje, sikurse qëndrimi i Berishës në timon si i përjetshëm vetëm e kanë zvogëluar PD-në. Rinia dhe populli i protestës janë në tërësi populli opozitar që i mungon PD-së. Në skenarin e rinovimit dhe reformimit real të saj, PD do të kishte mbajtur flamurin e protestës dhe fitores.
Kjo lloj marrëdhënije i ka bërë një dëm akoma më të madh Ramës, duke e përkundur në mendimin letargjik se me një opozitë të drejtuar nga Berisha s’ka kush t’ja marrë pushtetin, çfarë do që të bëjë.

Kësisoj ka humbur pasqyrën dhe presionin real opozitar, duke u lëshuar pa duar në kursin e ëmbël të personalizimit ekstrem të pushtetit. Episodi i Zvernecit ishte sinteza përfekte e këtij personalizmi, si ta kishte shkruar me dorë një mendje shumë e zgjuar. Në fakt e kishte shkruar një gjë më e zgjuar që është natyra e gjërave, pika e ujit që derdh gotën, lepuri i madh që del nga ferra e vogël, zullimi që këputet kur trashet.

Një kryeministër tjetër, që nuk do të kishte bjerrë aq shumë kontaktin me realitetin e gjallë në të ashtuquaturën vetmi të majave, mund të kishte gjetur të protesta e rinisë mademin e humbur të opozitës së munguar.

Mjerisht e ka parë si një komplot kundër tij, si një padrejtësi të madhe që i bëhet atij përsonalisht. Ndaj investohet sa mundet për zvogëlimin dhe shuarjen e saj, duke dëshmuar largësinë kozmike me motivet e thella të saj.
Në vitin e 1990 brezi i ri konceptoi Shqipërinë si gjjthë Europa. Ëndrrra humbi shumë nga gjenuiniteti i saj nepër labirinthet e qeverive postkomniste që vunë pushtetin e tyre mbi aspiratën rinore popullore. Rruga e integrimit njohu thyerje, pabesi të shumta, vonesa. Breza të rinjsh iu sakrifikuan mujsharisë sunduese brenda partive-kazerma. 

Duket se brezi i ri i tanishëm ka nxjerrë mësime. Ai ka kërcyer në skenën e historisë për ta drejtuar fatin në rrugën e duhur. Shqipëria e re është zgjidhja dhe zgjedhja e re e qarkullimit të elitave dhe marrjes së përgjegjësive nga bresi i të rinjve e të rejave. Asgjë nuk e kthen dot prapa, posaqë mori formë dhe mbushi zemrat e tyre./ Mapo

Po ndodh...

ide