Protesta si "Arka e Noes" për PD, por Berisha duhet të zbresë...

27 June 2026, 15:29 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Protesta si "Arka e Noes" për PD, por Berisha duhet të

Nga Indrit Gjyzeli

Sali Berisha deklaroi këtë të shtunë se, "Nuk ka vend në botë që të barazojë pozitën me opozitën kur proteston". Kjo deklaratë krejt e drejtë në pamje të parë, meriton pikërisht një analizë të thellë, se përse në shesh kërkohet "burg" duke e barazuar Berishën me gjynahet e një kryeministri, i cili pjesën më të madhe të bashkëpunëtorëve me të cilët nisi qeverisjen i ka ose në burg, ose në hetim, ose në arrati? 

Si është e mundur që kreu i partisë më të madhe të opozitës të shihet po aq gabimtar dhe pengues për të ardhmen e Shqipërisë, sa kryeministri Rama?!

Vetë Berisha, i ardhur në krye të PD pas një lufte të tmerrshme me një pjesë të demokratëve pas vitit 2021, i rrethuar nga humbës dhe servilë, nuk ka arritur në këto vite, e sidomos pas 11 Majit 2025, të marrë asnjë përgjegjësi politike. Të qenurit i refuzuar nga SHBA e BE, i gjendur nën hetim për korrupsion nga SPAK, i gjendur përballë shumë lidhjeve të të birit me emra që janë në biznese pranë Ramës, Berisha nuk ka arritur të pranojë se është kthyer në sigurinë më të fortë të Ramës për të qëndruar në pushtet, edhe kur sheshi me mijëra njerëz i kërkon dorëheqjen.

Ndaj, si pasojë e këmbënguljes së tij për të bllokuar institucionin e Shpresës për Ndryshim, Berisha sot gjendet, në mënyrë paradoksale për demokracinë shqiptare, në të njëjtën frekuencë zemërimi të qytetarëve siç janë edhe ndaj Ramës.

Përpjekjet e tij për t'i dhënë ngjyrën e PD-së protestës, më shumë se sa e ndihmon protestën ka ndihmuar Ramën ta lidhë protestën me figura të degraduara të PD-së.

Duhet pranuar që demokratët e thjeshtë, demokratët e ndershëm, janë pjesa më normale e protestës. Zemërimi i tyre është i ligjshëm dhe ata e dinë shumë mirë se po të griset në gjysmë thirrja, "Rama burg-Berisha burg", ajo protestë e humb fuqinë, e humb vitalitetin.

Loja e hershme e Berishës me "opozitë e opozitës" në këto thirrje është qesharake. Për të parë se sa i pavërtetë është Berisha në pretendimet për "opozitë të opozitës" mjafton të lexojë reagimet poshtë postimeve të tij në rrjetet sociale e do e kuptojë  se shumica absolute që i shkruan aty për t'u larguar nga drejtimi i PD janë demokratë, janë anti-Rama.

Këmbëngulja e Berishës për të dërguar demokratët edhe atje ku thirrjet janë edhe ndaj tij, janë një përpjekje e lavdëruar politike për ta ruajtur PD-në nga pozicioni qesharak që ai vetë e shumë drejtues të tjerë pranë tij e vunë 3-4 ditët e para të protestës, pasi u zunë ngushtë nga pafuqia e tyre për të sjellë qytetarët në shesh.

Zemërimi i Berishës për thirrjet ndaj tij "Berisha burg" në fakt duhet të jetë zemërimi qytetar se përse ai vazhdon të qëndrojë si siguria e Ramës, duke mos dhënë asnjë llogari për humbjet e PD apo për bizneset e të birit, që del thuajse në shumicën e ortakëve të Ramës.

Natyrisht, Berisha mund të besojë se protesta është një zog politik i ardhur në momentin më të vështirë të PD, por faktikisht ajo nuk ka më autoritetin të jetë drejtuesja e zemërimit ndaj një kryeministri që rezulton ta ketë nxjerrë Shqipërinë në shitje, duke besuar se mund të shihet si mbret, siç edhe e përshkruan arkitekti Reinier de Graaf në librin "Dosjet shqiptare" ku parathënia është e vetë Ramës.

E megjithatë, pavarësisht se duket paradoksale që Rama e Berisha të duken njëlloj të refuzuar, ajo që mund ta shmangë në këtë moment një duet të tillë është hapi që mund të bëjë Berisha duke u tërhequr pas, duke deklaruar se nuk do jetë më si kandidati i demokratëve për të kandiduar për kryeministër. Ky do ishte një hap i vogël, por të paktën do legjitimonte më shumë praninë e PD në shesh. 

Përndryshe, vetë Berisha do vijojë ta dënojë PD-në duke e bërë edhe më të padëshiruar nga publiku. Sidomos tani që e pa se as dhënia e një vize amerikane nuk ka vlerë përballë protestuesve, pasi viza e vërtetë politike është në shesh, dhe në shesh protestuesit ja kanë hequr vizën si Berishës ashtu dhe Ramës.

Pra, nëse sot protesta është kthyer për PD si "Arka e Noes" përballë detit të refuzimit qytetar, atëherë Berisha duhet të kuptojë se nuk mund të jetë kapiteni, për sa kohë e shohin njëlloj me "përbindëshin" Rama.../Alfapress.al

Po ndodh...

ide