Pse protesta rrezikon “Trekëndëshin e Bermudës” dhe partitë e reja?!

Prej javësh, çdo mbrëmje, qytetarë të zakonshëm mbushin sheshet, bulveradin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët e Tiranës. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti të debatueshëm në Zvërnec u shndërrua shumë shpejt në diçka më të madhe. Sot protesta nuk ka të bëjë vetëm me një projekt, një vendim apo një konflikt lokal. Ajo është bërë simbol i një pakënaqësie të grumbulluar ndër vite ndaj një sistemi politik që ka konsumuar besimin e qytetarëve dhe ka krijuar ndjesinë se vendimet merren larg njerëzve dhe pa njerëzit.
Për ditë e javë me radhë, pavarësisht sulmeve, etiketimeve, propagandës dhe përpjekjeve për ta paraqitur si të parëndësishme, protestat kanë vazhduar. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse ato duhen marrë seriozisht. Në një demokraci, e drejta për të protestuar nuk është privilegj. Nuk është tolerancë që pushteti ua bën qytetarëve. Është një e drejtë themelore dhe legjitime. Është një nga mekanizmat më të rëndësishëm përmes të cilit sovrani - qytetari - i kujton pushtetit se autoriteti i tij buron nga populli dhe jo anasjelltas.
Ata që dalin në rrugë nuk po kërkojnë favore. Nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë llogaridhënie. Po kërkojnë transparencë. Po kërkojnë respekt. Po kërkojnë një shtet që dëgjon dhe jo një pushtet që vetëm urdhëron. Dhe askush nuk ka të drejtë ta delegjitimojë këtë kërkesë.
Unë jam pro investimeve të huaja. Shqipëria ka nevojë për kapital, zhvillim, turizëm dhe ekonomi moderne. Por asnjë investim nuk mund të jetë mbi demokracinë. Asnjë projekt nuk mund të përdoret si justifikim për të heshtur qytetarët. Zhvillimi i vërtetë nuk matet vetëm me beton, resorte apo statistika ekonomike. Ai matet edhe me cilësinë e demokracisë, me transparencën e vendimmarrjes dhe me respektin ndaj zërit publik.
Po aq e rëndësishme është që protestat të mbeten qytetare dhe të pavarura. Forca e tyre qëndron pikërisht te fakti se nuk burojnë nga zyra politike, por nga pakënaqësia reale e njerëzve. Çdo përpjekje për t'i kapur, manipuluar apo instrumentalizuar ato do ta dobësonte mesazhin e tyre.
Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaron se nuk ka ndërmend të tërhiqet, një fakt mbetet i pamohueshëm: një protestë që vazhdon për javë të tëra nuk mund të trajtohet si zhurmë kalimtare. Kur qytetarët vazhdojnë të mbushin sheshet, kur debati publik dominohet nga pakënaqësia dhe kur pushteti mobilizon gjithë makinerinë e tij politike e mediatike për t'iu përgjigjur protestës, atëherë është e qartë se kemi hyrë në një moment politik që nuk mund të injorohet.
Por kjo nuk është një sfidë vetëm për qeverinë. Është një alarm edhe për opozitën tradicionale dhe veçanërisht kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Për më shumë se tre dekada, politika shqiptare është dominuar nga të njëjtat figura, të njëjtat konflikte dhe të njëjtat premtime. Shumë shqiptarë pyesin me të drejtë: nëse të njëjtët emra vazhdojnë të qarkullojnë mes pushtetit dhe opozitës, kur do të vijë ndryshimi i vërtetë?
Pikërisht këtu qëndron rreziku për atë që shumë e quajnë "Trekëndëshi i Bermudës" i politikës shqiptare (Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta). Sepse revolta qytetare nuk po sfidon vetëm një qeveri. Ajo po sfidon një model të tërë politik që ka dominuar tranzicionin shqiptar. Një model ku pushteti dhe opozita janë ushqyer nga njëra-tjetra, ku konfliktet janë ricikluar pafund dhe ku qytetari ka mbetur shpesh spektator i lojës së tyre. Nëse kjo energji qytetare vazhdon të rritet, ajo rrezikon të përmbysë jo vetëm një figurë politike, por gjithë ekuilibrin mbi të cilin është mbështetur establishmenti për dekada.
Por mesazhi nuk duhet të humbasë as te partiçkat e reja të Arlind Qorit, Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt. Edhe këto parti rrezikohen nëse e keqkuptojnë këtë moment. Zemërimi qytetar nuk është pronë e askujt. Askush nuk mund të vetëshpallet shpëtimtar. Historia ka treguar se çdo forcë politike që ngrihet mbi arrogancë, kult individi apo premtime boshe përfundon duke u bërë pjesë e të njëjtit problem që pretendonte se do të zgjidhte. Qytetarët nuk po kërkojnë thjesht fytyra të reja. Ata po kërkojnë standarde të reja, moral të ri politik dhe një kulturë të re qeverisjeje.
"Shuplaka" që po jep kjo protestë nuk është kundër një partie të vetme. Është kundër arrogancës së pushtetit, kundër klientelizmit, kundër papërgjegjshmërisë dhe kundër mentalitetit sipas të cilit qytetari duhet vetëm të durojë dhe kurrë të mos kundërshtojë.
Mesazhi është i qartë: epoka kur politika mendonte se mund të vepronte pa pyetur askënd po sfidohet hapur. Shqipëria nuk ka nevojë për liderë të përjetshëm, për figura që riciklohen pafund apo për shpëtimtarë të vetëshpallur. Ka nevojë për institucione të forta, për rotacion idesh, për transparencë dhe për një klasë politike që e kupton se sovrani nuk është kryetari i partisë, por qytetari.
Dhe nëse ka një mësim që del nga kjo lëvizje, ai është ky: shqiptarët mund të kenë heshtur gjatë, por kur vendosin të flasin, zëri i tyre bëhet forca më e madhe politike në vend. As propaganda, as makineritë partiake dhe as kastat e vjetra nuk mund ta injorojnë pafundësisht një popull që kërkon të dëgjohet...
Po ndodh...
Rikthimi te propozimet e Bashës dhe themelet e Shqipërisë së Re
ide
S'ka më “E Keqja më e Vogël”
Pse protesta rrezikon “Trekëndëshin e Bermudës” dhe partitë e reja?!
Evolucioni i një flamengoje të gjatë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128