Protesta, “pasqyra” ku Rama po sheh veten “të dënuar” nga arroganca

4 July 2026, 16:22 / IDE NGA INDRIT GJYZELI
Protesta, “pasqyra” ku Rama po sheh veten “të

Nga Indrit Gjyzeli

Edi Rama deklaroi gjatë Javës së Administratës Publike, se nuk i besonte vetëm letrave, raporteve për punën në administratën shtetërore, por edhe bënte verifikimet e tij për sjelljen e zyrtarëve me qytetarët. Këtë apologji për administratën ai e bëri duke gjetur një shteg për të përçarë protestën, duke tentuar të marrë nga sheshi i protesës vetëm "flamingot që do" vetë. 

Duke tentuar ta fragmentatizojë protestën, herë si vijim vetëm i "Zvërnecit" e herë si "zemërim i drejtë i mamasë së një shoku me mjekët", Rama po tenton thjesht të krijojë fraktura me gjysmë të vërteta- një proces që e njeh mirë pasi ai ka ushqyer gjatë gjithë kohës gjysmë të vërtetat me bindjen se ato kanë mundësi të notojnë më gjatë në algoritmin e mbështetësve të tij.

Qëndrimet e Ramës kanë qenë në linjën populiste që "popullin e dëgjoj", me qëllimin për të fituar kartën e "armiqve të përbashkët të tij dhe popullit", që në ligjërimin e tij herë janë iranianë, herë blogere, herë rusë e serbë, herë "baltë e zezë e non-gratës së PD". Dhe e gjitha kjo narrativë e Ramës ka qenë vetëm e vetëm që të mos arrijë të mbetet në shesh thirrja që e barazon atë me Berishën- "burg për të dy". 

Por përpjekja e tij gjer më sot është mposhtur ngaqë arroganca nxori në pah një qeveri gangstere, që i sheh qytetarët dhe pronat e tyre si plaçkë lufte- të një lufte që Rama e ka shpikur vetëm në emër të pushtetit të tij. 

Paradoksi i shqetësimeve të tij është edhe më i madh kur flitet për dhunë nga policia të të ndaluarve, duke e bëtë ligjërimin e tij për marrje masash ndaj zyrtarëve qesharak, pasi ai informohet i pari për atë që ndodh me të ndaluarit nga policia. ( Veç nëse policia po i rreh protestuesit që t'i zemërojë më shumë me të!!).

Një tjetër qëndrim që e vë Ramën në pozitë qesharake është mënyra arrogante kur ai përmend 800 mijë vota, pasi këto vota nuk i janë dhënë të zgjedhë ai se kush do bëhet biznesmen, se kush do ndërtojë, se cilit qytetar do i njihet e drejta e pronës e kujt jo.

Ky algoritëm arroganti e ka bërë Ramën dhe të tijët qesharakë, pasi pas hapjes së çdo çështje hetimore nga SPAK rezulton se, ose janë ministra të korruptuar, ose biznesmenë të lidhur me trafiqet, ose "miq" të Ramës që kanë krijuar shtet paralel duke bënë në rresht zyrtarët, si në rastin e AKSH-it, apo me tendera të tjerë ku gara nuk ekziston më as formalisht.

E megjithatë, duke parë se përballë tij Berisha e shet grimin me emra të rinj në kryesinë e PD me "operacionin politik" që duhet të ketë kjo forcë pas refuzimit popullor dhe kërkesës ndaj Berishës për largim, Rama do vijojë të përpiqet të shesë vetveten si "njeriu që e dëgjon popullin", edhe pse vazhdon ta përcaktojë ai se kush është "populli i mirë".

Por përcaktimi për popullin duket se i ka humbur bashkë me mbretërinë e algoritmit, një mbretëri që iu rrëzua jo vetëm përpara shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarisht, pasi tani, në çdo media botërore ai është njeriu që po drejton si arrogant, duke shmangur çdo llogaridhënie./Alfapress.al

Po ndodh...